Lajme

“Po veproni politikisht”?, prokurori i SPAK debat me Alibeajn: Kërkesa për arrestimin e Berishës nuk ka asgjë politike

Në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, Prokurori i SPAK, Arben Kraja mohoi kategorikisht që hetimi dhe kërkesa për arrestimin e deputetit Sali Berisha ka pas motiv politik.

Kraja u pyet nga deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj nëse SPAK po vepronte politikisht ndaj ish-kryeministrit Berisha.

Gjë të cilën prokurori e mohoi madje duke shtuar se nuk ka në plan të bëhet politikan apo të merret me politikë.

Enkelejd Alibeaj: Pse nuk duhet ta konsiderojmë ne që ju po veproni politikisht

Arben Kraja: Këtu nuk ka asnjë veprim politik që nga momenti që është regjistruar deri në momentin që jemi sot dhe nuk do të ketë asnjë ndikim politik deri në zgjidhjen përfundimtare. Çdo kërkesë që kemi bërë bazuar në provat që janë mbledhur në dosje, të bindur për atë që kemi kërkuar. Ua kemi paraqitur gjykatës, gjykata na ka dhënë të drejtë deri tani. Mund të mos na japë të drejtë deri në fund por jemi të hapur.

Ne kemi kompetencë të hetojmë kryesisht funksionarët e lartë shtetërorë. Përsa kohë kemi kompetencë për të hetuar funksionarë të lartë shtetërorë në dukje mund të mos dukemi si të paanshëm. Unë e kam për detyrë  si prokuror kur ka një kallëzim të nis hetimin. Në dukje mund të përdoret nga palët se filloi se e tha ky apo tha ai e nuk mund ti ndalojmë këto fjalë. Unë kam qenë drejtues i këtij institucioni dhe e dini shumë mirë që jam akuzuar (në dukje) se po punoj për llogari të krahut tjetër. Të jeni të bindur këtu nuk ka asgjë politike. Në jetën time nuk jam marrë kurrë me politikë, as më shkon mendja të merrem me politkë dhe as do të bëhem kurrë politikan.

Gjithashtu, Alibeaj e pyeti prokurorin e SPAK se pse nuk u veprua njëlloj si me Saimir Tahirin në 2017.

Kraja tha se janë të bindur për kërkesën e tyre dhe i qëndrojnë deri në fund pasi kanë vepruar në bazë të ligjit.

Kemi vepruar bazuar në legjislacionin në fuqi. Kemi paraqitur atë kërkesë që na ka miratuar edhe gjykata. Jemi të bindur dhe i qëndrojmë kësaj deri në fund. Do t’i referohemi kushteve të pretendimit. Kur një deputeti duhet të caktohet masa e arrestit, burg ose shtëpi, prokurori kërkon autorizim. Gjithë debati është se çfarë do të thotë heqje lirie. Heqje lirie nuk është kufizim. Kufizimi është më i ngushtë. Një nga masat shtrënguese që parashikohet është shtrimi i përkohshëm në spital psikiatrik. Nëse ne vijmë me kërkesë për arrest dhe Kuvendi nuk e miraton. Masat e tjera janë ato që ju thash unë. Në atë kohë prokuroria ka kërkuar arrest në burg apo kontrolle. Gjithë debati zhvillohet mbasi janë bërë ndryshimet Kushtetuese për kufizimin e imunitetit. Gjithë debati është zhvilluar deri kur ka të drejtë Prokuroria. S’kemi vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar kërkesën”, tha ai.

Prokurori i SPAK, Arben Kraja është pyetur nga Alibeaj se çfarë mase do të marrë prokuroria ndaj Sali Berishës.

Alibeaj: Arrest në burg arrest në shtëpi? Për njërën, për të dyja? Masa ekuivalten, apo kanë diferencë me njëra tjetrën? Nuk jam duke ju pyetur çfarë kërkese do bëni ju kur të shkoni në gjykatë. Por cilat janë opsionet që ju keni ndërmend përderisa keni ardhur në Kuvend?

Kraja: Janë të ndryshme nga pikëpamja e rëndesës. Ne kemi paraqitur kërkesë për ashpërsim, këto janë dy masat që mund të përdoren, kemi kërkuar leje për të dyja. Në varësi të akteve të dosjes dhe vendimarrjen tonë si prokuror do i kërkojmë gjykatës njërën prej masave, se çfarë do bëjë gjykata është tjetër punë.

/Shqip.com