Lajme

Po merrej në pyetje, s’ka qetësi për Ilir Beqajn, policia i gjobit sërish makinën para SPAK

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është paraqitur këtë të premte sërish në Prokurorinë e Posaçme, në vijim të zbatimit të masës së përcaktuar nga GJKKO për detyrim paraqitjeje pranë OPGJ-së lidhur me hetimet që po zhvillohen për koncensionin e sterilizimit.

Në ambientet e SPAK-ut, Beqaj shoqërohej nga avokati tij, Ermal Yzeiraj, ndërkohë që nuk bëri asnjë koment për mediat. Edhe sot, ashtu si 3 ditë më parë, Beqaj do të pyetet për çështjen e sterilizimit.

Por ndërsa futej në Prokurori, një tjetër hall i është shtuar Ilir Beqajt, pasi tashmë atij do t;i duhet të paguajë edhe një gjobë që policët bashkiakë i vendosën për parkim të gabuar.

Dhe ajo që bie në sy është fakti se gjoba e vënë është në emër të Ermal Kurtulajt, njeriut të afërt të Beqajt, i cili gjithashtu është në hetim për dosjen e ish-Ministrit Ilir Beqaj, si dhe Koordinatorin e projektit EUSAIR që menaxhohej nga Agjencia Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), Ermal Kurtulaj.

Në dosje thuhet se Kurtulaj akuzohet për Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike; Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike; Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nënpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim.

Hetimet ndaj Beqajt

Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme është duke hetuar për veprat penale të korrupsionit e fshehjes së pasurisë, ndërsa urdhëroi kontrollin në shtëpinë e Ilir Beqajt, njerëzve të tij të besuar si dhe zyrat e disa bizneseve e kompanisë farmaceutike.

Ky është një hetim i ri për ish-ministrin e Shëndetësisë, i cili ndodhet në një masë sigurie siç është detyrimi për paraqitje dhe ndalimi për të dalë jashtë vendit, për aferën e koncesionit të sterilizimit, ndërsa po hetohet edhe në lidhje me koncesionin e check up.

/Shqip.com