“Plas” te Avokati i Popullit, Endri Shabani akuzon paraardhësen për abuzime me fondet. I përgjigjet Erinda Ballanca: “Luftë” imagjinare. Je nën presion nga llogaridhënia në publik!
Institucioni i Avokatit të Popullit është përfshirë ditët e fundit nga përplasje të forta mes punonjësve dhe titullarit, Endri Shabani. Shkak janë bërë disa vendime të këtij të fundit, të pabazuara në ligj sipas denoncuesve, ndërsa nuk mungojnë edhe akuzat për presione, shantazhe për dorëheqje dhe shkarkime në kundërshtim me shërbimin civil. Një shkresë nga brenda institucionit ka mbërritur ndërkohë në dyert e Kuvendit të Shqipërisë, duke vënë në dijeni parlamentarët lidhur me atë që po ndodh tek Avokati i Popullit. Kuvendi është vënë në lëvizje pa humbur kohë duke ngritur një komision parlamentar për të verifikuar pretendimet e mbërritura nga punonjësit. Mirëpo, situata është përshkallëzuar edhe më tepër, teksa Shabani, përmes një portali ka sulmuar paraardhësen e tij, Erinda Ballanca, duke ngritur ndaj saj akuza për shpërdorim detyre si dhe paralajmërohet dërgimi edhe i një kallëzimi në SPAK. Reagimi i Ballancës nuk vonon e cila përmes një reagimi të shpërndarë për mediat, i shpjegon Endri Shabanit mënyrën se si funksionojnë institucionet shtetërore, ndërsa rrëzon akuzat për abuzim me fondet e Avokatit të Popullit.
Shabani akuzon Ballancën
Me argumentin se do të hetojë veprimtarinë financiare të Avokatit të Popullit, Endri Shabani ka pezulluar nga detyra Sekretarin e Përgjithshëm, Fatbardh Zenelaj. Ndaj tij Shabani ka ngritur komision disiplinor për dyshimet se ka abuzuar me naftën dhe asetet e institucionit. Shabani e ka paragjykuar Zenelajn edhe si njeri të afërt të Erinda Ballancës, edhe pse siç kjo e fundit do të shpjegonte, zyrtari në fjalë punonte tek Avokati i Popullit para se ajo të merrte drejtimin e institucionit në vitin 2017.
Endri Shabani ka gjetur disa makina të vjetra në oborrin e institucionit dhe pretendon se gjatë mandatit të Ballancës po këto automjete ishin vlerësuar në letra si funksionale dhe lëviznin, duke konsumuar litra naftë dhe duke paguar për riparime fiktive.
Po ashtu, siç portali VNA do të sqaronte me ‘burime’ nga brenda Avokatit të Popullit (artikulli ishte dukshëm i shkruar nga brenda zyrës së Endri Shabanit) titullari ka ngritur dyshime një tender mijëra-eurosh për kompjuterë, i bërë në nxitim e sipër – siç shkruhet, si amanet i fundit, teksa Ballanca po linte mandatin. Tenderi sipas Endri Shabanit është hetuar nga Agjencia e Prokurimit Publik dhe është gjetur me shkelje, pasi krijonte kushte për shkeljen e barazisë në tendera.
Dhe kështu, Endri Shabani ka thirrur KLSH-në, me idenë që të hetojë abuzimet me qëllim që, nëse shkeljet konfirmohen, dosja do të përfundojë në Prokurori. Deri në këtë pikë nuk ka asgjë të keqe. Dhe padiskutim është detyrë e institucioneve të çojnë në vend dyshimet dhe çdo pretendim që ngrihet lidhur me ligjshmërinë e veprimtarisë së paraardhësve, por edhe punonjësve të institucionit.
Sikurse, Endri Shabani duhet të mbajë përgjegjësi morale por edhe ligjore për çdo veprim, urdhër dhe vendim që ka ndërmarrë deri tani duke shigjetuar punonjës të Avokatit të Popullit, mes tyre edhe nga ata që kanë 15 apo 20 vite pjesë e këtij institucioni.
Sa për dyshimet e ngritura për paraardhësen e tij, Erinda Ballanca, Shabani ka të gjithë të drejtën e botës t’i drejtohet institucioneve ligjzbatuese deri edhe Prokurorisë së Posaçme, siç shprehet nëpër tavolina. Por kurrsesi Endri Shabani s’ka aspak të drejtë ta kthejë karrigen e institucionit që drejton në “gjueti shtrigash”, me tendenca, mllefe e hakmarrje personale ndaj kujtdo që është pjesë e Avokatit të Popullit falë meritokracisë. Institucioni shtetëror nuk është si partia ku militon Endri Shabani, “Thurja” , e cila në rastin më të mirë ka shërbyer si sh.p.k dhe në rastin më të keq si diçka shumë e vogël për t’u imponuar. Institucioni shtetëror rregullohet nga ligjet e shtetit, garantohet nga Kushtetuta. Çdo dalje jashtë kësaj kornize ka të parashikuar pasojat e mëpastajme. Si jurist dhe me karrierë akademike madje, Shabani duhet ta dijë këtë më mirë se kushdo tjetër.
Reagimi i Ballancës për Endri Shabanin: Mos përdor Avokatin e Popullit dhe punonjësit si pronë personale
Në reagimin e saj, ish-Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca i është përgjigjur akuzave të Endri Shabanit, për abuzime me naftën dhe fondet, gjatë viteve që ajo drejtoi institucionin. Përmes një deklarate të gjatë, Ballanca ka shpjeguar të gjitha pretendimet e Shabanit, por edhe duke i kujtuar atij se për të kuptuar mënyrën e funksionimit të institucionit, mjafton një eksperiencë minimale. Ajo sqaron se akuzat e hedhura në një portal, duke i referuar si “burime” nga Avokati i Popullit, janë tendecioze dhe përpjekje për të deformuar realiteti.
Ballanca shkruan si më poshtë:
Në një shkrim të botuar në median tuaj me “burime” nga Avokati i Popullit janë dhënë disa të dhëna që shtrembërojnë haptas të vërtetën.
Së pari, ardhja e KLSH në institucion nuk është shqetësim pasi KLSH e ka kontrolluar në vijimsi institucionin dhe kontrolli i fundit ka përfshirë periudhën 1.1.2022 deri 31.12.2024. Ky raport është në faqen zyrtare të KLSH. Për të tëra gjetjet, institucioni ka bërë edhe planin e masave për të realizuar rekomandimet e KLSH.
Së dyti, përfaqësuesi i autoritetit Kontraktor në Institucion është Sekretari i Përgjithshëm dhe jo Avokati i Popullit. Për çdo procedure konkuruese në bazë të ligjit ka vendimarrje dhe përgjegjësi të strukturave përgjegjëse. Sipas raportit të Avokatit të Popullit për vitin 2025 e botuar në faqen zyrtare të Kuvendit, (për herë të parë në 25 vjet depozituar në Kuvend në datë 11.5.2026, 2 javë tej afatit ligjor maksimal të parashikuar me ligj), vlera totale e të tërë procedurave tenderuese në institucion për mallra dhe shërbime është 24,100,000 prej të cilave janë shpenzuar 20,102,413 lek, dhe vlera e investimeve është 4, 000,000 lek, prej të cilave janë shpenzuar 638,702 lek. Këtë sqarim e bëj për të vënë në kontekst dëshirën për të qenë kontributor në hetimet e SPAK të Endrit Shabanit.
Gjej rastin të sqaroj se plani i prokurimeve miratohet paraprakisht nga institucioni, qoftë për vlerat sipas buxheteve të miratuara, qoftë edhe për kohën se kur do të kryhet procedura. Një kopje të këtij planifikimi mund ta gjeni pranë Institucionit. Pra, qartazi, procedura nuk lidhet me momentin e largimit të AVP siç pretendohet në shkrimin me burime nga Avokati i Popullit, por me përfundimin e vitit financiar 2025. Ndërkohë, çdokush që ka një eksperience minimale administrative është koshient se procedurat e tenderimit duhet të bëhen e mbyllen brenda vitit kalendarik, në të kundërt fondet digjen.
Pra, dhe procedura konkurruese për blerjen e pajisjeve elektronike në vlerë totale rreth 2,600,000 lek është hedhur në sistem në mes të muajit tetor 2025 në përputhje me planifikimin e bërë. Kjo procedurë, pas një ankimimi të bërë nga një prej konkurrentëve, është pezulluar nga KPP në 21 nëntor 2025. Kontrata nuk është lidhur, mallrat nuk janë lëvruar dhe fondet nuk janë shpenzuar. Ish Avokatja e Popullit nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë përfshirje në këtë procedurë të asnjë lloji dhe asnjë natyre.
Së treti, Avokatja e Popullit gjatë ushtrimit të detyrës së saj ka kërkuar në vijimësi nxjerrjen jashtë përdorimit dhe zhvillimin e procedurave për të shitur si skrap të disa automjeteve që nuk kanë qenë në gjendje pune që nga viti 2017. Për këtë nëse interesoni pranë institucionit e nëse do të pranojë të jetë institucion i hapur, mund të keni edhe shkresat.
Në lidhje me pretendimin për abuzim për përdorimin e karburantit për këto automjete, hetimi të bëhet dhe të evidentohet nëse ka apo jo shpërdorim të karburantit apo përdorim të tij për qëllim të aktivitetit te insitucionit, të dokumentuar. Në çdo rast, për të tërë vitin 2025 për qëllime të realizimit të misionit të Avokatit të Popullit, por të pretenduara mesa po kuptohet nga shkrimi si “abuzim” sipas burimeve në fjalë, janë përdorur gjithsej 666 litra karburant ose jo me shumë se 135,000 lekë të reja. Sigurisht që çdo shpërdorim dhe çdo abuzim duhet denoncuar dhe adresuar, por shifrat raportohen për të shfryrë pretendimin për frikësimin që mund të ketë ndokush nga këto përralla fasade të një burimi nga Avokati i Popullit.
Në lidhje me faktin që Sekretari i Përgjithshëm është njeri i afërt i imi, konfirmoj se ai ka qenë në këtë pozicion para ardhjes time në detyrë, dhe se, si ai e si Drejtori i Kabinetit kanë qenë bashkëpunëtorë të Z. Totozani e më pas të mitë, për shkak të eksperiencës që kanë pasur në atë detyrë.
As institucioni dhe as punojësit civilë nuk janë pronë personale e asnjë titullari e për këtë nuk duhen burime, mjafton një eksperience minimale administrative dhe respekt për ligjin.
Iluzioni mbi “luftra” imagjinare konstante mund të jetë edhe efekt i presionit të llogaridhënies në publik, por faktet janë gjithnjë i vetmi burim që dallon realitetin objektiv nga konstruktet mendore subjektive.
@ Shqip.com