Lajme

Plagosja e dy të rinjve serbë, sot në Shtërpcë organizohet protestë

Kryetari i Komunës së Shtërpcës dhe zyrtar i lartë i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, ka paralajmëruar se sot në ora 12:00 do të mbahet një protestë, pas rastit të plagosjes së dy fëmijëve në këtë komunë.

“Protesta jonë është kundër asaj që ndodhi me Stefanin dhe Milloshin, gjithçka që na ka ndodhur së fundmi, nuk ka përfunduar. Ne i kemi hoqur barrikadat, por ka ende inat te të gjithë ne.

Sot, më 8 janar, në ditën e dytë të Krishtlindjeve, do të mblidhemi para Shtëpisë së Kulturës, në orën 12:00. Në mënyrë unike dhe së bashku, do të dërgojmë mesazhin se na ka ngopur terrori dhe urrejtja, se duam vetëm paqen dhe të jemi në rrugën tonë! Paqja e Zotit, Krishti lindi!”, tha Jevtiq.

Kujtojmë se, dy persona janë plagosur pasditën e së premtes me armë zjarri, në fshatin Drajkovc të Shtërpcës, komunë kjo e banuar me shumicë serbe. Lidhur me këtë rast është arrestuar një ushtar i Forcave të Sigurisë së Kosovës.

I arrestuari Azem Kurtaj, dyshohet se rreth orës 15:20 ka shtënë me armë zjarri ndaj një 11-vjeçari dhe një 21-vjeçari të komunitetit serb.

Rasti është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, të cilët e kanë shoqëruar për në Policinë Rajonale të Ferizajt 33-vjeçarin si të dyshuar për plagosjen në Shtërpcë.

Nga vendi i ngjarjes, hetuesit rajonal kanë konfiskuar armën e zjarrit, me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale dhe si provë materiale është konfiskuar edhe automjeti i udhëtarëve, me të cilën dyshohet se ka lëvizur i dyshuari.

/Shqip.com