Lajme

Plagoset një person, Polica arreston nëntë persona

Një person është plagosur me armë zjarri gjatë orëve të hershme të mëngjesit të sotëm. Personi është plagosur në zonën e fshatin Breznicë që është jashtë territorit të Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur përmes një njoftimi Policia e Kosovës.

“Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan, Stacioni Policor Kamenicë rreth orëve të hershme të mëngjesit ka pranuar një informatë  ku dyshohet se në zonën e fshatit Breznicë jashtë territorit të Republikës së Kosovës oborrin e një kazinos një person shqiptar shtetas i Kosovës është plagosur me armë zjarri dhe i njëjti nga një familjar i tij është transportuar për në spitalin Rajonal të Gjilanit” thuhet në njoftimin e PK-së.

Po ashtu nga PK-ja kanë bërë të ditur se në këtë rast janë përfshirë nëntë persona, të cilët edhe janë arrestuar.

“Njësitet Policore me të marrë informatën kanë ndërmarrë të gjitha veprimet policore ku kanë arritur që të lokalizojnë dhe të arrestojnë brenda territorit të Republikës së Kosovës nëntë persona të dyshuar shtetas të Kosovës të cilët dyshohet se janë të përfshirë në këtë incident”.

Viktima është trajtuar në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Gjilanit dhe sipas mjekut kujdestarë është jashtë rrezikut për jetë.

Njësiti Rajonal i Hetimeve në koordinim të plotë me Prokurorin e Shteti janë duke i hetuar rrethanat se si ka ndodhur rasti, rast i cili sipas Prokurorit të Shteti është cilësuar ,,Vrasje në tentativë’’.

/Shqip.com