Plagoset një person në lagjen “Dardania” në Prishtinë
Një person ka mbetur i plagosur pas të shtënave me armë zjarri në lagjen “Dardania” në Prishtinë.
Rastin për media e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.
Ajo ka thënë se i plagosur është dërguar për tretman mjekësor, derisa ka bërë me dije se është identifikuar i dyshuari dhe se po ndërmerren veprime hetimore për arrestimin e tij.
“Sot rreth orës 11:00, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në lagjen Dardania në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.
Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se një person është plagosur dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për arrestimin e personit të dyshuar (i cili është identifikuar) si dhe ndriçimin e plotë të rastit”, ka thënë Ahmeti.
/Shqip.com