PK-ja arreston një person të dyshuar dhe asgjëson mbi 4000 bimë të kultivuara të llojit Kanabis Sativa

Policia e Kosovës ka arritur që të sekuestrojë 4000 bimë të kultivuara të llojit Kanabis Sativa.
Kjo është bërë në bazë të pranimit të një informate se në një fshat të Komunës së Malishevës po kultivohen bimë të llojit kanabis Sativa.
“Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik pas pranimit të informatave për kultivim të bimëve narkotike në një fshat të komunës së Malishevës, në koordinim me prokurorinë e shtetit kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, duke aplikuar masat e fshehta teknike të vëzhgimit dhe hetimit për identifikim dhe vëzhgim të lokacionit të mbjellur me bimë narkotike”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Po ashtu është bërë e ditur se me datë 15.07.2022, njësitë kompetente policore pas trajtimit të informatave sipas procedurave të parapara, kanë dal në lokacionin e lartë cekur, me ç ‘rast kanë identifikuar 2720 bimë narkotike të mbjellura të llojit Kanabis Sativa. Në lidhje me rastin është bërë arrestimi i një personi të dyshuar me iniciale A.M mashkull/kosovar ku dhe është kryer një bastisje në shtëpinë dhe objektet përcjellëse pronë e tij.
Gjatë kryerjes së bastisjes në pronat e të dyshuarit mashkull kosovar janë gjetur dhe konfiskuar:
-Katër (4) fishekë kalibër i panjohur,
-Një automjet/kombi me targa vendore,
-Preparate që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike.
Po ashtu gjatë kontrollimit të terrenit jashtë shtëpisë së personit të dyshuar, në një parcelë tjetër janë gjetur edhe 928 bimë narkotike të llojit Kanabis Sativa dhe 624 bimë të vogla narkotike (rasad) po ashtu të llojit të njëjtë.
Lidhur me rastin me urdhër të prokurorit kompetent, personi i dyshuar i arrestuar është dërguar në mbajtje, ndërsa bimët e dyshuara janë hequr dhe asgjësuar dhe një sasi prej tyre janë marrë për ekzaminim, përderisa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar./Shqip.com