Lajme

Pjesa e dytë e Testit të Arritshmërisë, MASHTI: Ka pasur avancim në procesin e administrimit

Testi i Arritshmërisë
Testi i Arritshmërisë

Pas mbajtjes së pjesës së dytë të Testit të Arritshmërisë, me 14 qershor, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka deklaruar se ka pasur një avancim në procesin e administrimit.

Përmes një njoftimit nga MASHTI, ka falënderuar Drejtoritë Komunale të Arsimit për bashkëpunim.

“MASHTI, me këtë rast, falënderon Drejtoritë Komunale të Arsimit për bashkëpunimin dhe angazhimin e shtuar në eliminimin e problemeve gjatë procesit të mbajtjes së testit. Megjithatë, edhe këtë herë janë evidentuar disa probleme në disa Qendra të Testimit, si pasojë e mosrespektimit të udhëzimeve të hartuara nga MASHTI”, thuhet në njoftim.

Ministria e Arsimit

Nga Ministeria e Arsimit kanë bërë të ditur se problemet e evidentuara gjatë mbajtjes së pjesës së dytë të Testit të Arritshmërisë janë: mospërmbajtja e rregullave dhe udhëzimeve nga komisionerët dhe administruesit e Qendrave të Testimit; vonesa të administruesve në disa qendra të testimit dhe përdorimi i telefonave celular nga nxënësit.

MASHTI gjithashtu bën të ditur se, lidhur me mosrespektimin e udhëzimeve gjatë mbajtjes së pjesës së dytë të Testit të Arritshmërisë janë marrë masat adekuate ndaj dy administruesve, ndërsa nxënësve të cilët kanë përdorur telefonin celular dhe që janë evidentuar nga administruesit t’u llogariten vetëm pikët nga lëndët në pjesën e parë të testit./Shqip.com