Lajme

Pishina e Gërmisë pritet të hapet më 12 qershor, a do të jenë çmimet e njëjta?

Pishina e Gërmisë hap dyert për vizitorët më 12 Qershor.

Këtë e ka bërë të ditur për Shqip.com kryeshefi i ndërmarrjes ‘Sport Marketing’, Liridon Llapashtica.

Ai ka theksuar se hapja e pishinës do të bëhet me një datë simbolike për Prishtinën, ditën kur shënohet çlirimi i kryeqytetit.

“Si çdo sezonë verore NPL Sport Marketing që menaxhon me pishinën e Gërmisë ka filluar të zbatojë planin rreth përgatitjeve për sezonin veror 2022. Tradicionalisht pishina ka hapur dyert për qytetarët e Prishtinës më datë 12 qershor – simbolikisht që shënohet çlirimi i kryeqytetit”, tha Llapashtica.

Ai po ashtu ka përmendur edhe kushtet atmosferike si faktor që kushtëzojnë hapjen e pishinës.

“Këtë e determinon zakonisht edhe moti, pra nëse temperaturat janë në favor për hapje, planifikojmë me datë 12, nëse jo, atëherë duhet të presim deri të mbërrijnë ato të përshtatshme”, theksoi Llapashtica.

Ndërkohë sa i përket çmimeve se a do të këtë rritje ai ka potencuar se çmimet mbesin të njëjta.

“Sa i përket çmimit të biletave ende janë të njëjtat siç kanë qenë, 2 euro për të rritur dhe 1 euro për personat nën moshën 13 vjeçare”, shtoi kryeshefi i ndërmarrjes “Sport Marketing”.

Kurse për sigurinë e atyre që vizitojnë pishinën e Gërmisë, Llapashtica tha se do të jenë në dispozicion 12 shpëtimtarë.

“Kanë me qenë 12 shpëtimtarë, një marrëveshje e kemi me fakultetin e Edukatës Fizike, ku ata kanë me bë përzgjedhjen e studentave që janë të licensuar për notin, ku vitin e kaluar ka funksionuar shumë mirë”.

Ashtu si vitin e kaluar edhe këtë vit pritet që të nisë sezoni normal për Pishinën e Gërmisë./Shqip.com