Lajme

Pirro Vengu komenton përplasjet në PS: Detaje periferike. Spiropali? Çështje e pikëpamjes së saj personale!

Pas përplasjes së fundit mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-ministres së Jashtme, Elisa Spiropali, duket se “ujërat” brenda Partisë Socialiste janë trazuar, ndërsa reagimet nga brenda mazhorancës nuk kanë munguar.

Deputeti socialist, Pirro Vengu ka minimizuar situatën, duke i cilësuar debatet si “detaje periferike”. I pyetur për qëndrimet e Spiropalit nq grupin parlamentar, ai u shpreh se bëhet fjalë për një pikëpamje personale të saj.

Sipas Vengut, pavarësisht zhurmës politike të ditëve të fundit, fokusi duhet të mbetet tek qytetarët dhe problematikat e tyre të përditshme. “Qytetarët nuk jetojnë me zhurmë politike, por me sfidat e përditshmërisë dhe rezultatet që kërkojnë nga qeverisja”, theksoi ai.

Ministri vuri në dukje se Partia Socialiste, pas 13 vitesh në pushtet, synon të ruajë kontaktin me realitetin në terren përmes angazhimit të drejtpërdrejtë në komunitet. Ai përmendi iniciativën e “9 javëve në territor”, si një mënyrë për të verifikuar nga afër problematikat dhe për t’i kthyer ato në projekte konkrete.

“Pyetja në fund të ditës është shumë e thjeshtë: a po bëhen punë konkrete për njerëzit apo jo?”, u shpreh Vengu, duke theksuar se zgjidhjet kërkojnë “pjekurinë kombëtare që kërkon momenti”.

Debati i fundit ka shtuar diskutimet për dinamikat e brendshme në Partinë Socialiste, ndërsa drejtuesit e saj përpiqen të mbajnë fokusin tek qeverisja dhe rezultatet.

/Shqip.com