Lajme

Pika kufitare Jarinjë është ende e mbyllur

Që nga sulmi terrorist i 24 shtatorit në fshatin Banjskë të Zveçanit, pika kufitare në Jarinjë është e mbyllur.

E mbyllur për disa ditë ka qenë edhe Merdara, mirëpo ajo u hap, ndërkaq Jarinja jo.

Ndryshe, mëngjesi i hershëm i së dielës, 24 shtator, e gjeti Banjskën e Zveçanit nën sulme të një grupi serbësh prej më shumë se 30 personave të armatosur rëndë, ku si pasojë mbeti i vrarë rreshteri i policisë Afrim Bunjaku si dhe u plagos pjesëtari i policisë, Alban Rashiti.

Sulmi zgjati për disa orë. Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, arriti që të futej brenda Manastirit të Banjskës, ku ndodheshin grupi kriminal serb i armatosur së bashku me dhjetëra pelegrinë.

Policia gjeti sasi të madhe të armatimit brenda manastirit, e po ashtu brenda automjeteve që gjendeshin pranë manastirit, të cilat u publikuan më pas bashkë me disa dokumentacione nga Policia e Kosovës, Kryeministri i vendit, Albin Kurti si dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

/Shqip.com