Art Jetese

Pijet energjike dhe ndikimi i tyre në shëndetin e zemrës

Pije energjike

Pijet energjike janë ndër pijet më të konsumuara në ditët e sotme. Edhe pse shumica e njerëzve janë të vetëdijshëm dhe janë të njohur me ndikimet negative të tyre në shëndet ata vazhdojnë t’i konsumojnë ato.

Këto pije kanë përdorim më të gjerë te të rinjtë kur përdoren për rritjen e performancës fizike dhe mentale. Pijet energjike përmbajnë sasi të lartë të substancave stimuluese siç janë kafeina, taurina apo guarana, substanca këto që rrisin ritmin e zemrës dhe shtypjen e gjakut sidomos nëse konsumohen rregullisht. Konsumimi i tyre rrit përqendrimin, rrit shpejtësinë e reagimit, rrit forcën dhe qëndrueshmërinë e muskujve. Ndër të tjera ato përmbajnë edhe sasi të madhe të sheqerit, substanca artificiale që e përmirësojnë shijen, vitamina etj.

Siguria e këtyre pijeve ende është diskutabile për shkak të raportimit të rasteve të shumta ku këto pije kanë rrezikuar seriozisht shëndetin bile janë raportuar edhe vdekje të papritura. Rreziku rritet sidomos kur ato kombinohen me alkool apo substanca narkotike.

Edhe njerëzit plotësisht të shëndoshë mund të preken nga efektet negative të pijeve energjike. Por, veçanërisht të rrezikuar nga konsumimi i këtyre pijeve janë të rinjtë, personat alergjik në kafeinë, sportistët, gratë shtatzëna dhe në veçanti personat e sëmurë nga sëmundjet e ndryshme të zemrës.

Efektet e para negative të pijeve energjike janë ndjenja e nervozës, pagjumësia, urinimi i shpeshtë, rrahjet e çrregullta të zemrës, anksioziteti, fobi të ndryshme, dhimbje te lukthit etj. Ndërsa me vazhdimin e konsumimit të përditshëm dhe në sasi të mëdha rritet edhe më tutje efekti negativ i tyre, shkruan Telegrafi.

Efektet në zemër mund të jenë akute, dmth., paraqitet menjëherë pas konsumimit të pijeve energjike apo kronike që paraqiten pas konsumimit afatgjatë të tyre.

1-2 orë pas konsumimit të pijes energjike mund të lirohen disa substanca siç janë renina, katekolamina apo dopmanina të cilat e stimulojnë sistemin nervor duke e ngritur edhe shtypjen e gjakut dhe frekuencën e zemrës. Ky efekt mund të zgjatë deri 5 orë pas konsumimit të pijes.

Poashtu në studimet e bëra është konstatuar se 1-2 orë pas konsumit të pijeve energjike janë shfaqur aritmi të reja, por edhe përkeqësimi i aritmive që kane qenë prezente paraprakisht. Është konstatuar zgjatja sinjifikante e intervalit QTc në EKG e cila predispozon shfaqjen e aritmive të ndryshme të zemrës disa potencialisht shumë të rrezikshme. Në veçanti, njerëzit që janë te lindur me sindromën “long QTc”, që është një defekt i lindur e kanë rreptësishtë të ndaluar konsumimin e pijeve energjike sepse edhe një zgjatje tjetër e këtij intervali në EKG mund të ketë pasoja fatale. Andaj është e rekomandueshme që personat që kanë pasur vdekje të papritur të familjarëve të tyre që të bëjnë kontroll kardiologjik para fillimit të konsumimit të pijeve energjike.

Studimet e tjera kanë treguar se konsumimi i dy pijeve energjike në ditë për 1 javë rresht rrit frekuencën kardiake dhe shtypjen e gjakut për 10%. Kjo rritje te njerëzit e shëndoshë mund të mos jetë problematike, por te personat me shtypje të lartë të gjakut dhe sëmundje të zemrës, mund të jetë e rrezikshme, andaj ky studim propozon mënjanimin e pijeve energjetike të pacientët me sëmundje të zemrës apo me faktor rreziku për sëmundje kardiovaskulare.

Studimet e tjera kanë gjetur se konsumimi i përditshëm i vetëm një pije energjike rrit rrezikun për atak kardiak dhe atak të trurit deri 90%, kjo kryesisht si pasojë e tendencës së këtyre pijeve që të ngushtojnë arteriet gjithandej në përgjithësi dhe arteriet e zemrës në veçanti. Ky është edhe mekanizmi i shpjegimit të ataqeve kardiake që kanë ndodhur te fëmijët pas konsumimit të pijeve energjike.

Disa nga përbërësit e pijeve energjike rrisin afinitetin e trombociteve për t’u ngjitur me njëra tjetrën, e çrregullojnë funksionin e endotelit duke rritur kështu gjasat për bllokim të arterieve dhe për pasojë shfaqjen e atakut.

Për fund, është e qartë se konsumimi i pijeve energjike është i lidhur ngushtë me efekte negative në zemër e në raste të rralla edhe me vdekje. Andaj mos konsumimi i ekzagjeruar i tyre është kontribut i madh që mund të bëni për ruajtjen e shëndetit në përgjithësi dhe zemrës në veçanti. Kjo vlen veçanërisht për pacientët me sëmundje të sistemit kardiovaskular.