Pianistja kosovare që me përformancën e saj arriti të prekte edhe publikun në Francë
Tingujt e pianos, e kanë shoqëruar që kur ishte në moshën 7 vjeçare.
Lisa Sahatçiu, është 17 vjeçarja nga Kosova, e cila së fundmi ka marrë pjesë në një ndër festivalet më të njohura në Francë.
“Në periudhën nëntor-dhjetor te vitit 2021 unë vendosa që të marrë pjesë në garën Nouvelles Étoiles-Paris e cila ishte garë internacionale dhe thjesht desha qe te shihja se çfarë rezultati do të mund të arrija”, ka thënë ajo për Shqip.com.
“Në këtë garë dërgova video të veprave: L.v.Beethoven-Sonata no 18 dhe F.Chopin- Etude op.25,no.11 ku arrita qe te fitoj vendin e pare dhe te marre një ftesë për koncertin ne Notre Dame du Travail ne Paris”, ka shtuar tutje ajo.
Në mesin e saj si përfaqësuese e Kosovës, në këtë koncert ishin edhe 3 laureatë të tjerë, nga Kroacia, Hungaria e Rusia, e kjo për Sahatçiun, ishte ndër eksperiencat më të mira.
E shoqëruar me emocione të përziera, gëzimi e stresuese, ajo thotë se veprën të cilën e përformoi kishte lidhje emocionale me të.
“Në koncert përformova veprat: F.Chopin-Nocturne op.48,no.1 dhe Schumann-Liszt- Ëidmung. Me këto vepra kam një lidhje emocionale mjaft të madhe dhe kjo ishte arsyeja pse vendosa që t’i përformoja në koncertin e së dielës sepse e dija se mund të jepja shumë nga vetja.”
E si duket, Sahatçiu me emocionet që kishte ndarë me këngën, kishte arritur ta prekte edhe publikun, për të cilin tha se e pritën mjaft mirë.
“Kjo gjë normalisht më bëri shumë të lumtur sepse tek e fundit ky është qëllimi jonë si muzikantë, që të arrijmë ti japim një mesazh publikut përmes muzikës”, tha ajo.
Për Sahatçiun, ky ishte edhe koncerti më i madh që ka marrë pjesë ndonjëherë, e të cilin thotë se do ta kujtojë gjithmonë.
“Ky koncert ka qenë mjaft i rëndësishëm për mua, fillimisht si debutim i imi në Francë dhe njëkohësisht që të mund të paraqes vetën dhe vendin tim sa më mirë në mes të atij publiku të madh”.
Talentin e pasionin e saj për piano, ajo shumë herë e ka ndarë edhe me publikun kosovar duke qenë edhe pjesëmarrëse e rregullt në garën “Pianist i Ri’.
Që nga viti 2013 Sahatçiu thotë se është shpërblyer me çmime si ”Lola Gjoka”-2015,” Istanbul 2017”, për të cilin kishte pasur edhe koncert recital në Stamboll.
E, kjo nuk mund të mos vihej re edhe nga orkestra më e madhe në Kosovë.
Pasi fitoj çmimin kryesor në festivalin “Pianist i Ri”, asaj ju mundësua koncerti me Filarmoninë e Kosovës në vitin 2018.
Po ashtu në vitin 2021, ishte edhe pjesëmarrëse në audicionin live në të cilin garoj për çmimin special te Chopin Piano Fest, të cilin edhe e fitoj, e i mundësoi të mbaj koncert recital në sallën Kunstraum- Bad Honeff, çmim i sponzoruar nga Dr.Herbert Groeger.