Lajme

Pezullohet nga puna ambasadori Prenkaj, reagon sindikata: Fushatë hakmarrëse

MPJD
MPJD

Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës (SHSASHJ) ka pranuar me shqetësim vendimin për pezullimin e marrëdhënies së punës ndaj z. Albert Prenkaj, Ambasador, aktualisht Drejtor i Departamentit për Amerikë, deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga ana e Komisionit Disiplinor në MPJD.

Shoqata Sindikale e konsideron si pjesë të fushatës hakmarrëse nga menaxhmenti i MPJD-së i vendosur në mënyrë të kundërligjshme në MPJD ndaj Ambasadorit të karrierës z. Prenkaj, ndër të tjera, edhe për shkak të pjesëmarrjes së tij në aktivitetet e Shoqatës Sindikale, duke qenë edhe anëtar i saj, gjatë të cilave aktivitete janë denoncuar kundërligjshmëritë në MPJD, duke përfshirë edhe Rregulloren nr. 01/2022 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në MPJD.

Shoqata Sindikale kishte organizuar një protestë paqësore para objektit të MPJD si reagim ndaj veprimeve kundërligjore dhe z. Prenkaj i autorizuar nga Këshilli ekekutiv I Shoqatës, ishte drejtuar medieve në emër të protestuesve anëtarë të Shërbimit të Jashtëm.

Poashtu, Shoqata Sindikale shpreh shqetësimin e saj lidhur me përpjekjen e menaxhmentit të MPJD-së që nëpërmjet procedurave disiplinore të cenojnë të drejtën e zyrtarëve publikë/anëtarë të shërbimit të jashtëm për të shfrytëzuar mjetet juridike në dispozicion, si një të drejtë të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. 

Së fundi, Gjykata Themelore në Prishtinë Departamenti për Cështje Administrative ka vendosur që të anulohet vendimi i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Republikës së Kosovës duke i dhënë të drejtë Ambasadorit Prenkaj lidhur me kontestimin e tij ndaj Rregullores nr. 01/2022 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në MPJD, përmes së cilës është shuar pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të ushtruar me aktemërim nga z. Albert Prenkaj.

Duke e konsideruar veprimin e fundit ndaj Amb. Prenkaj, si një vazhdimësi të veprimeve hakmarrëse ndaj anëtarëve të Shoqatës Sindikale, thyerjes së zyrës, marrjes së arkivës dhe vulës së saj, duke vazhduar me persekutimin ndaj z. Agron Maloku, kryetar i Shoqatës, dhe anëtarëve tjerë të Shoqatës dhe pjesëmarrësve tjerë të protestës, Këshilli Ekzekutiv i Shoqatës Sindikale i bënë thirrje menaxhmentit të MPJD-së të ndalin veprimet hakmarrëse dhe kriminale ndaj Shoqatës Sindikale dhe anëtarëve të saj”, thuhet në reagimin e Shoqatës Sindikale të Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës (SHSASHJ),

Shoqata Sindikale i bënë thirrje Avokatit të Popullit, Prokurorisë së Shtetit që të veprojnë në drejtim të hetimit të shkeljeve të së drejtës së organizimit sindikal nga ana e menaxhmentit të MPJD-së dhe të drejtës së shfrytëzimit të mjeteve juridike të anëtarëve të shërbimit të jashtëm të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi.

/Shqip.com