Lajme

Petkoviqi reagon për kryetarët e rinj të komunave në veri të Kosovës

Drejtori i Zyrës serbe për Kosovë, Petar Petkoviq
Drejtori i Zyrës serbe për Kosovë, Petar Petkoviq

Drejtori i zyrës për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviq, me rastin e betimit të kryetarëve të sapozgjedhur në veri të Kosovës, ka thënë se është zyrtarizuar pushtimi i katër komunave.

Në një reagim publik, ai ka thënë se “okupimi nuk ka qenë kurrë një situatë e përhershme në histori, kështu që nuk do të jetë në katër komunat në veri të Kosovës dhe do të përfundojë së shpejti”.

“Por populli serb do ta kujtojë më gjatë se pushtimin e Kurtit mënyrën e turpshme në të cilën fanarët e rremë të demokracive moderne kanë dhënë dritën jeshile për diçka të tillë”, njoftoi Zyra për Kosovën.

Kryetarët e sapozgjedhur të komunave të Mitrovicës Veriore, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut kanë bërë betimin më 19 dhe 25 maj, duke marrë kështu pushtetin lokal në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Kryetar i komunës së Mitrovicës së Veriut është Erden Atiq nga Vetëvendosje, ndërsa nënkryetare e kësaj komune është nga komuniteti serb, Katarina Agjançiq.

Kryetar i ri i komunës së Zveçanit është Ilir Peci nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ndërsa në Leposaviq Lulzim Hetemi nga radhët e Vetëvendosjes.

Hetemi caktoi edhe Dragana Miletiqin nga radhët e komunitetit serb si zëvendëse të tij. Komuna e Zubin Potokut udhëhiqet nga Izmir Zeqiri, po ashtu nga PDK-ja.

Zgjedhjet lokale në veri të Kosovës u mbajtën më 23 prill pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave nga radhët e Listës Serbe.

Ato zgjedhje u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, pra kryetarët e rinj nga radhët e komunitetit shqiptar.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e prillit ishte 3.47 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar.

/Shqip.com