Lajme Ballkan

Petkoviq: Serbia po e zbaton marrëveshjen për lirinë e lëvizjes dhe nuk nënkupton njohjen e Kosovës

Petar Petkoviq, drejtor i zyrës serbe për Kosovën
Petar Petkoviq, drejtor i zyrës serbe për Kosovën

Vendimi i Qeverisë së Serbisë që nga 1 janari t’i lejojë veturat me targa RKS që të qarkullojnë në territorin e saj nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, është parë si hap drejt përparimit në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ne mirëpresim vendimin e Serbisë për të njohur zyrtarisht targat e automjeteve RKS të lëshuara nga Kosova. Ky vendim është një hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit, si dhe në angazhimet e kaluara të Dialogut lidhur me Lirinë e Lëvizjes. Ajo tregon se është e mundur të arrihet progres në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai gjithashtu përbën një hap në drejtimin e duhur drejt një integrimi më të mirë rajonal dhe evropian të Ballkanit Perëndimor, nga i cili në fund përfitojnë qytetarët e rajonit. Ky vendim i hap rrugën heqjes së plotë të regjimit të afisheve. BE-ja tani pret që Kosova të përgjigjet në mënyrë të ngjashme”, tha Stano.

Autoritetet serbe thanë se do të vendosin njoftime në vendkalimet kufitare në të cilat thuhet se mundësimi i kalimit të kufirit me targa RKS bëhet për arsye krejtësisht praktike që liria e lëvizjes të bëhet më e lehtë.

Kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, ka thënë se Serbia po e zbaton marrëveshjen e vitit 2011 për lirinë e lëvizjes dhe nuk nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Lejimi i të gjitha automjeteve të regjistruara në Prishtinë për të marrë pjesë në komunikacion në rrugë bëhet ekskluzivisht për arsye praktike, me qëllim që të lehtësohet pozita e individëve dhe të mundësohet liria e tyre e lëvizjes dhe nuk mund të interpretohet si njohje e shpallje e njëanshme e pavarësisë së Kosovës”, tha Petkoviq.

Por, përfaqësuesit e pushtetit në Kosovës janë skeptik derisa vendimi të nis të zbatohet. Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi, tha për RTV21 se gradualisht po ndodh detyrimi i Serbisë për ta njohur pavarësinë e Kosovës.

‘’duhet të shohim edhe zbatimin e marrëveshjes, sepse kemi mjaftueshëm arsye për të mos i besuar Serbisë për zbatimin e  marrëveshjeve”., tha Rrustemi

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka qenë i rezervuar ta komentojë vendimin e Qeverisë së Serbisë për lejimin e targave RKS nga 1 janari. Por, kritikoi Qeverinë se në të kaluarën ka kundërshtuar të gjitha marrëveshjet e Brukselit të cilat tash po i zbaton ato në heshtje.

‘’Nuk dëshirojë ti komentoj hapat e Serbisë në raport me Kosovë, por më intereson se çka bëri Qeveria jonë tash e 10 vjet duke kundërshtuar këto marrëveshje. Tani fillon së implementuari në heshtje”, tha Shala

Vendimi i Qeverisë së Serbisë që nga 1 janari t’i lejojë veturat me targa RKS që të qarkullojnë në territorin e saj është parë si tentim për ta bindë faktorin ndërkombëtar që Serbia është palë konstruktive duke tentuar t’ia lë fajin Kosovës për mos zbatimin e marrëveshjeve.

‘’Serbia po tenton nga një palë destrukteve në raport me zbatimin e marrëveshjeve të Brukselti, me këtë vendim po tenton që ta bindë faktorin ndërkombëtar se Kosova është fajtore për mos zbatim të marrëveshjeve’’., tha Arbnor Sadiku, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Më 15 dhjetor ndërkaq skadoi afati i fundit për banorët serbë në veri të Kosovës që të zëvendësojnë targat e makinave të tyre të lëshuara nga Serbia me targa të Republikës së Kosovës. Sipas autoriteteve të Kosovës rreth 4 mijë e 200 janë me targa të reja, ndërsa shumë të tjerë i kanë regjistruar makinat e tyre në Serbi dhe lejohen t’i përdorin ato edhe në Kosovë sikurse targat e çdo vendi tjetër të huaj.

/Shqip.com