Lajme Ballkan

Petkoviq: Kurti tregon se dëshiron luftë, jo marrëveshje

Drejtori i së ashtuquajturës, "Zyre për Kosovën", Petar Petkoviq

Drejtori i Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviq, ka vlerësuar sot se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me deklaratën e fundit tregon se dëshiron hapur luftë, jo dialog dhe marrëveshje.

“Nëse Kurti konfirmon publikisht se Asociacioni i Komunave Serbe nuk do të formohet kurrë dhe se serbët duhet të pranojnë vendime të njëanshme dhe të dhunshme për targat dhe kartat e identitetit, është e qartë për të gjithë se Kurti po bën thirrje për konflikte në Kosovë”, thotë Petkoviq, raporton Tanjug.

Po ashtu ai theksoi se në çdo deklaratë Kurti shpik gjoja ndikimin e Rusisë, sepse dëshiron jo vetëm të sulmojë Beogradin, por edhe të justifikojë veprimet e reja të njëanshme dhe të dhunshme kundër popullit serb.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ekziston rreziku për një konflikti të ri mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Kurtit, marrë parasysh se pas Serbisë qëndron lideri rus, Vladimir Putin, edhe rreziku për konflikt mbetet i lartë.

Serbët lokalë të Kosovës kanë dy muaj kohë për t’i shndërruar targat e veturave nga KM në RKS, ka thënë po ashtu Kurti.

Kurti thotë se bllokada e rrugëve s’ka qenë spontanisht por i organizuar nga Beogradi me ndihmën e Rusisë.

Po ashtu, duke folur për bllokadën e rrugëve të dielën që shkoi, kryeministri Kurti tha se njerëzit në bllokada punojnë në strukturat ilegale në veri të Kosovës dhe paguhen nga Beogradi./Shqip.com