Lajme

Petkoviq: Kurti nuk do ta formojë Asociacionin, nuk e do

Shefi i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në qeverinë serbe, Petar Petkoviq është shprehur se më e rëndësishmja në dialogun Kosovë-Serbi, është formimi i Asociacionit të Komunave Serbe.

Petkoviq ka deklaruar në një intervistë për mediumin serb “Blic” se i kanë kryer të gjitha obligimet dhe se që 10 vjet janë duke e pritur krijimin e Asociacionit.

“Kur sheh se çfarë po bën Prishtina në të vërtetë, e ke të qartë se nuk duan dialog, nuk duan paqe, nuk duan që ne të biem dakord për asgjë, por padyshim këmbëngulin vetëm për të shkaktuar ndonjë reagim të papërshtatshëm nga serbët me lëvizjet e tyre të njëanshme”, tha Petkoviq.

Tutje, ai ka folur edhe për marrëveshjen e arritur në Ohër, ku tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “nuk do të formojë Asosacionin”.

“Kurti nuk do të formojë Asociacionin, nuk e do. Ata thonë çdo ditë se AKS duhet të jetë në përputhje me kushtetutën e Kosovës, se ai nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Bislimi tani përmend në publik nja pesë kritere, të cilat as që u diskutuan.

Pra, Kurti nuk foli asnjë fjalë për ndonjë kriter. Në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 janë përcaktuar kriteret se si duhet të duket komuniteti, cilat janë kompetencat e tij, kompetencat thelbësore, cili është qëllimi i komunitetit, cila është struktura e tij, si do të funksionojë. Serbia ka të drejtë të financojë Asociacionin, kjo është e përcaktuar në pikën 16-të të parimeve të përgjithshme”, ka theksuar Petkoviq.

/Shqip.com