Lajme

Petkoviq i reagon Bislimit pasi tha se Vuçiq privatisht e pranon që duhet njohur Kosova

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq

Zëvendëskryeministri i parë dhe shefi i ekipit negociator në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi ka thënë se Vuçiq në takime private me zyrtarë të Brukselit e pranon që duhet ta njohë Kosovën si shtet por vetëm se duhet përgatitur terreni.

Kësaj deklaratë i ka reaguar drejtori i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkovic, i cili e ka cilësuar si “gënjeshtër”.

“Me deklaratat e fundit, shefi negociator i Prishtinës, Besnik Bislimi, po i vazhdon rrenat e tij. Deklarata që në takimet në Bruksel, presidenti Aleksandar Vuçiq ka thënë se e kupton që duhet ta njohë pavarësinë e të ashtuquajturës Kosovë, por që duhet kohë, s’është rrena më e paturpshme që ai ka thënë, por edhe hipokrizi e tij, që e përdor gjatë gjithë procesit të dialogut. Duket se në të gjitha deklaratat e tij, përfshirë këtë, Bislimi niset nga vetja”.

Siç tha ai, nuk ka dyshim se Bislimi shpesh e thotë atë që në të vërtetë do të dëshironte të dëgjonte, “por se e vetmja e vërtetë është ajo që presidenti Vuçiq e përsërit qartë dhe pa mëdyshje – se ai kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe gjithmonë mbron fuqishëm qëndrimi i Beogradit dhe i popullit serb”.

Ndryshe mbrëmë Bislimi ka folur për normalizimin e marrëdhënieve në një intervistë për RTK2, ku tha se njohja reciproke është e rëndësishme, nëse jo edhe elementi kryesor i atij normalizimi, sepse pa të, siç shtoi ai, është e vështirë të normalizohen marrëdhëniet.

“Vuçiqi në takime private para zyrtarëve në Bruksel thotë se e kupton që duhet ta njohë Kosovën, por duhet të përgatitet terreni në Serbi, duhet kohë dhe pastaj në publik thotë se nuk do ta njohë kurrë. Njohja reciproke do të kontribuonte në shfrytëzimin shumë më të mirë të resurseve që ka Kosova dhe Serbia, të cilat ne mund t’i ofrojmë edhe Evropës.

Por ajo që ne u përpoqëm të vërtetojmë në Bruksel është se përparimi i Kosovës nuk varet nga vetë njohja. Njohja është e rëndësishme për ne, kontribuon për paqen, por Kosova mund të zhvillohet pa njohje. Në fakt, ne kemi dokumentuar gjatë 18 muajve të fundit se në këtë rast njohja dhe normalizimi i kontribuojnë më shumë Serbisë sesa Kosovës”, tha Bislimi.

Ai theksoi se çdo vonesë në arritjen e zgjidhjes përfundimtare e dëmton sigurinë dhe paqen në rajon.

/Shqip.com