Lajme

Pesë shkolla në Gjakovë kundërshtojnë vendimin e SBASHK-ut

Shkolla në Gjakovë

Drejtoria e Arsimit në Gjakovë ka njoftuar se pesë shkolla do të fillojnë procesin mësimor sot.

Shkollat që hapin dyert për nxënësit sot ajo fillore “Mustafa Bakij”,  ” Fehmi Agani”  dhe ” Emin Duraku” cikli i ulët si dhe SHMU ” Yll Morina” pjesërisht dhe ajo në fshatin Dujakë – SHFMU ” Fan S.Noli”.

“Drejtoria e Arsimit në komunën e Gjakovës është informuar zyrtarisht nga drejtorët e pesë shkollave se mësimi fillon sot, më 15 shtator. Shkolla fillore ‘Mustafa Bakija’, ‘Fehmi Agani’ cikli i ulët,  ‘Emin Duraku’ cikli i ulët, ‘Yll Morina’ pjesërisht dhe ‘Fan S.Noli’ fshati Dujakë”, thuhet në njoftim.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci i ka bërë sërish thirrje Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës që të ndërpresë grevën dhe t’i kthehet dialogut konstruktiv.

Nagavci ka shkruar në Facebook se nuk ka kurrfarë arsye që të mbahet grevë nga BSPK dhe SBAShK-u, pasi sipas saj, Qeveria ka bërë disa hapa dhe ka ndërmarrë vendime të dinjitetshme për adresimin e kërkesave të parashtruara nga sindikatat.

“Greva, në formë të ndërprerjes së plotë të punës dhe pa kufizim kohor, është hap ekstrem që ndërmerret vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe nuk ka kurrfarë arsyeshmërie në kushtet kur Qeveria ka bërë disa hapa dhe ka ndërmarrë vendime të dinjitetshme për adresimin e kërkesave të parashtruara nga sindikatat”, ka shkruar Nagavci.

Theksojmë se SBASHK-u është në grevë të përgjithshme nga 25 gushti.

Deri më tash nuk ka pasur asnjë pajtim për ndërprerjen e grevës, ndërkohë që kjo sindikatë ka paralajmëruar se orët e humbura të mësimit nuk do të zëvendësohen./Shqip.com