Pesë plus PESË
Peja është kampione e Kosovës për edicionin 2022/23 të basketbollit në vendin tonë.
Në serinë e ndeshjeve finale të play-off-it, pejanët fituan ndaj Trepçës, 3-2.
Në katër ndeshjet e para, fituese doli skuadra mikpritëse, duke e shfrytëzuar epërsinë e palestrës vendëse. Duke përjashtuar ndeshjen e dytë, të cilën Peja e fitoi më lehtë (107-79), katër tjerat ishin me rivalitet të jashtëzakonshëm. Në “Minatori” Trepça fitoi 94-86 e 97-90, ndërsa në “Karagaçi” triumfoi Peja 107-79 e 87-83.
Për t’u përcaktuar kampioni u desh edhe ndeshja e pestë, e cila sipas radhës, u zhvillua në Mitrovicë.
Palestra “Minatori” ishte e vogël për t’i pranuar të gjithë të interesuarit që synonin të përcillnin aktin final të këtij edicioni.
Që nga minuta e parë, e deri tek e fundit, madje sekondat e fundit, loja ishte e fortë, me shumë angazhim, emocion, përkushtim e dëshirë për fitore. Një dypikësh nga Amin Hot në çastet e fundit bëri që rezultati të barazohet në 77-77 dhe ndeshja të shkojë në kohën shtesë.
Pra nuk mjaftuan pesë ndeshje, nuk mjaftuan 200 minuta për t’u për përcaktuar kampioni.
Për t’u zgjidhur kjo dilemë u deshën edhe PESË minuta shtesë.
Beteja vazhdoi me të njëjtin ritëm e intensitet dhe në fund fitores iu gëzuan pejanët me rezultat 93-91.
Që përmbyllja e kampionatit të mos jetë më e mira e mundshme u “përkujdesën” disa tifozë vendës, por gjithsesi kampionati përfundoi me dramë basketbollistike, ndërsa skuadrat tjera, duke filluar nga Trepça e uruan Pejën për titullin.
Sigal Prishtina e fitoi Superkupën, Trepça Kupën e Kosovës dhe Superkupën mbarëkombëtare dhe në fund Peja titullin e kampionit.
Ajo që ra në sy ishte fakti që pavarësisht numrit të madh të basketbollistëve të huaj, ishin disa lojtarë vendorë që e bënë diferencën.
Kjo në radhë të parë duhet të thuhet për veteranin e Trepçës, Drilon Hajrizin, i cili në shumë ndeshje ishte përcaktues, por pa harruar as Arti Hajdarin e Arian Qallakun e Pejës.
Fatkeqësisht, kjo nuk mund të thuhet edhe për basketbollistë të rinj, të cilën tash e sa kohë nuk po dalin në skenë.
/Shqip.com