Kulturë

Përzgjidhen dorëshkrimet e tre shkrimtarëve të rinj

Përzgjidhen dorëshkrimet e tre shkrimtarëve të rinj
Përzgjidhen dorëshkrimet e tre shkrimtarëve të rinj

Një qytet që mbuloi lumenjtë duke i kthyer në rrugë makinash. Një kushtim për prindërit, për ata që ishin e mbetën dy. Dhe një tufë poezish për ndjesitë që nuk kanë nevojë të bërtasin.

Tre të rinj, një vajzë e dy djem janë shpallur fitues të ‘Fondit të Krijimtarisë Letrare’ për të Rinj nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.

Enxhi Naumi, Alban Tufa dhe Andrin Kabashi i kanë dorëzuar veprat e tyre në dorëshkrim pranë QKLL dhe janë përzgjedhur fitues mes 11 të rinjve.

Alban Tufa me dorëshkrimin “Ata ishin (mbetën) dy” (Toena) u zgjodh me motivacionin “për origjinalitetin dhe thellësinë e vargut poetik të shprehur me sinqeritet dhe pjekuri”.

Enxhi Naumi me dorëshkrimin “Tytnia” (Albas) u vlerësua me motivacionin “për poezinë e zhveshur nga droja duke e shpalosur sentimentin lakuriq nëpërmjet ndjeshmërisë së lartë artistike”.

I riu nga Kosova, Andrin Kabashi me dorëshkrimin “Qyteti pa lumë” (Onufri) u vlerësua me motivacionin, “për mesazhet nënkuptimore të përcjella nëpërmjet një stili ekzistencial dhe proze të konsoliduar, që evidentojnë problemet thelbësore të brezit të mileniumit të ri”.

Fondi i Krijimtarisë Letrare për të Rinj, çdo vit u jep mundësinë 3 autorëve të rinj të botojnë veprat e tyre të para. Ministrja e Kulturës Elva Margariti foli në ceremoni për politikat mbi të rinj, ndërsa drejtoresha e QKLL mbi nismën për këtë fond. Juria e këtij viti kryesohej nga nga Liridon Mulaj dhe anëtarë Enkel Demi e Sonila Strakosha.

/Shqip.com