Lajme

Përurohet renovimi i shkollës “Zenel Hajdini” në Drenas, donacion nga SHBA-ja (Foto)

Sot është përuruar renovimi i shkollës “Zenel Hajdini” në Terstenik të Drenasit, me vlerë rreth 500 mijë euro, donacion nga SHBA.

Të pranishëm në ceremoni ishin ambasadori Jeff Hovenier, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, nënkoloneli amerikan Conley, kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, si dhe arsimtarë, prindër e nxënës.

Lladrovci i shprehu mirënjohje ambasadorit Hovenier dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Ju keni bërë një vepër të madhe humane për komunën tonë dhe këtë ne nuk e harrojmë. Ashtu sikur nuk i harrojmë miqtë e ditëve të rënda kur popullit të Kosovës i kanosej zhdukja”.

Postimi i plotë:

Me rastin e promovimit të renovimit të Shkollës “Zenel Hajdini” në Trestenik, me vlerë rreth 500 mijë euro donacion nga ShBA-ja, ku ishte i pranishëm ambasadori amerikan Jeff Hovenier, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, nënkoloneli Conley dhe mysafirë të tjerë, mbajta këtë fjalë rasti:

Shkëlqesia Juaj, Zotëri Ambasador, Hovenier,

E nderuara Ministre, zonja Nagavci,

I nderuari Nënkolonel Conley,

E nderuara drejtoreshë, zonja Qorri,

Të nderuar mësimdhënës, të dashur nxënës dhe prindër,

Zonja e zotërinj,

Sot, jemi të lumtur që po përurohet rinovimi i shkollës “Zenel Hajdini”, donacion me vlerë rreth gjysmë milioni euro nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne jemi shumë krenar me arritjet tona në arsim si në nivel vendi ashtu edhe në nivelin ndërkombëtar. Nxënësit tanë bëjnë pjesë në takimet e “Euroscola” të Bashkimit evropian, si të vetmit nxënës të shkollave jashtë Bashkimit Evropian.

Në komunën tonë, ne marrim shembull nga demokracia amerikane dhe qeverisja jonë lokale përbëhet nga 50% gra drejtoresha dhe 35% e shkollave udhëhiqen po ashtu nga gratë drejtoresha. Shkëlqesi Ambasador, Ju keni bërë një vepër të madhe humane për komunën tonë dhe këtë ne nuk e harrojmë. Ashtu sikur nuk i harrojmë miqtë e ditëve të rënda kur popullit të Kosovës i kanosej zhdukja.

Sot, ne punojmë shumë, për të vazhduar të jemi komuna me performancën më të mirë komunale në vend. Ne, vazhdojmë punët për mirëqenien e qytetarëve, duke qenë të vetëdijshëm për të kaluarën tonë dhe të ardhmen e qytetarëve, brenda vlerave demokratike, euro-atlantike.

Ne jemi përjetësisht mirënjohës për krejt çka keni bërë dhe po bëni për ne. Ju faleminderit Ambasador Hovenier. Faleminderit nënkolonel Conley. Faleminderit Popullit amerikan! Ne dhe Kosova jemi të bekuar me miqësinë Tuaj!

Ju faleminderit!

/Shqip.com