Lajme

Përurimi i abetares së përbashkët Kosovë- Shqipëri; Kurti, Nagavci e Kushi e cilësojnë ditë historike

Të enjten, në Gjakovë është mbajtur ceremonia e përurimit të abetares së përbashkët Kosovë-Shqipëri.

Ndër të tjerë, të pranishëm në këtë ceremoni ishin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti si dhe ministret e Arsimit të Kosovës dhe të Shqipërisë, Arbërie Nagavci dhe Evis Kushi.

Të tre gjatë fjalimeve e cilësuan si ditë historike pasi që, nxënësit kudo në Kosovë e Shqipëri, do të mësojnë më tekstin e njëjtë.

Kryeministri i Kosovës, tha se ky veprim është një vazhdim i punës së të parëve për gjuhën shqipe

Po ashtu, shtoi se ne duhet ta vazhdojmë jetësimin e ideve politike për të mirë të vendit.

“Populli ynë e di se përbashkimi është i domosdoshëm në të mirën të gjithmbarshme të kombit për ecjen e tij përpara. Sikurse në periudhat e ndryshme historike kur prijësit tanë u bënë bashkë dhe ndërtuan kalimin prej ndenjës së fuqishme identitare tek vetëdija e lartë kombëtare. Jemi ne tani që duhet ta vazhdojmë jetësimin e idesë politike.”, tha Kurti.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, gjatë fjalimi në ceremoni ka bërë të ditur se abetarja e re do të jetë e ndarë në gjashtë kapituj më nga gjashtë shkronja.

Po ashtu, e ka cilësuar moment historik.

“Kjo marrëveshje do të jetë historike, sepse edhe fëmijët e Republikës së Shqipërisë, ashtu si të Kosovës, dhe ashtu si të gjithë vogëlushët shqiptarë, kudo që ata mësojnë, do të kenë të njëjtin tekst unik të abetares, që uroj të ju sjell fat shëndet dhe mbarësi, e të jetë baza për sukseset e tyre në të ardhmen“, u shpreh ministrja.

Ndër të tjera ka përmendur edhe faktin se studentët shqiptarë tani e tutje mund të studiojnë në Kosovë ose Shqipëri, pa asnjë pengesë.

“Kemi arritur marrëveshjen që heq çdo kufizim që studentët mos të kenë asnjë problem e procedurë formale. Pa pengesa administrative e burokrative”, shtoi Nagavci.

Ndërsa, ministrja shqiptare e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi me rastin e përurimit të abetares së përbashkët me Kosovën, tha se ajo do të fshijë kufijtë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.

“Një abetare jo vetëm e re, por edhe më cilësore. Kjo abetare nuk është vetëm libri i parë, por kjo abetare do të fshijë kufijtë midis Shqipërisë dhe Kosovës. Ky është libri që do të na bashkojë më shumë – sepse jemi një komb, kemi një gjuhë.”

Kushi tha se kjo është abetarja e dashurisë dhe krenarisë kombëtare./Shqip.com