Lajme

Përplasje në Kuvend, opozita kërkon miratim të Rezolutës për mbështetje të minatorëve, kundërshton pozita

Kuvendi i Kosovës - Fotografi ilustruese
Kuvendi i Kosovës - Fotografi ilustruese

Opozita ka kërkuar sot në Kuvendin e Kosovës, futjen në rend të ditës të një pike ku parashihet miratimi i një Rezolute në mbështetje të minatorëve të Trepçës.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri tha se kërkojnë urgjentisht që të futet si pikë e rendit të ditës shqyrtimi dhe miratimi i një Rezolute që trajton kërkesat e minatorëve të Trepçës që janë futur në grevë urie tash e 10 ditë.

Si kryetar i GP të PDK-së, ashtu siç jemi dakorduar ditën e hënë në mbledhjen e Kryesisë kemi proceduar me një kërkesë për një debat me Rezolutë po ashtu që i përkrahë kërkesat e minatorëve të Trepçës. Janë bërë 10 ditë që minatorët e Trepçës janë në grevë dhe ne për 10 ditë në asnjë rrethanë nuk kemi dashur ta sjellim në Kuvend, me politizu këtë çështje dje me pas një debat politik pasi kemi dashur t’i japim kohë Qeverise që të zgjidh këtë çështje dhe minatorët të dalin nga greva. Kjo gjë nuk ka ndodhur,. Ne si Komision Parlamentar e kemi pasur një takim me minatorët ku i kanë shprehur pakënaqësitë e tyre. Andaj sot duke  e pasur parasysh që edhe rregullorja e lejon që të trajtohen çështje urgjente, pra të plotësohet-ndryshohet rendi i ditës, ne Rezolutën veçse e kemi proceduar dhe kërkojmë që sot të hyjë si pikë e parë e kësaj seance miratimi i një Rezolute me të cilën Kuvendi i Kosovës kërkon mbështetjen e kërkesave të minatorëve të Trepçës”, tha Tahiri.

Tahiri tha se shpreson që këto kërkesa të miratohen.

“Ato janë të ditura për ne si deputet dhe për gjithë opinionin publik dhe konsiderojë se miratimi i një kërkese të tillë sot është jashtëzakonisht e rëndësishme”, tha ai.

Kjo Rezolutë është mbështetur edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Arben Gashi tha se këto kërkesa janë minimaliste.

GP i LDK-së konsideron se është me interes të jashtëzakonshëm që në mënyrë urgjente të trajtohet çështja e minatorëve  të Trepçës që ka më shumë se një javë që janë në grevë dhe që jeta e tyre po rrezikohet. Andaj konsiderojmë se është me rëndësi që Kuvendi ta shqyrtojë një Rezolutë e cila i kërkon Qeverisë që kërkesat e tyre të plotësohen sepse kërkesat e minatorëve të Trepçës janë kërkesa minimaliste. Çka kërkojnë ata është që të garantohet që pagat kanë me i marrë në fund të muajit. Trepça është ndërmarrje publike, pra shteti duhet të garantojë që pagat e tyre kanë me ju dal në fund të muajit në llogari”, ka thënë ai.

Miratimi i kësaj rezolute u mbështet edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

GP i AAK-së normal që e mbështet dhe konsideron që është tepër urgjente që të mbahet një seancë dhe që të diskutohet çështja e minatorëve. Është tepër me rendësi që të diskutohet me urgjencë edhe çështja e policëve të Kosovës”, tha shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

/Shqip.com