Lajme

Përplasje mes Kurteshit e Dushit në KQZ – akuza për vjedhje të votave

Mbledhja e KQZ-së

Mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të shtunën është shoqëruar me debate të forta mes përfaqësuesve të partive politike.

Alim Rama, i Lëvizjes Vetëvendosje është përplasur verbalisht me Florian Dushin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Shkas për këtë ishte vendvotimi në Fushë-Kosovë me numër 0906E/O1D i cili në mbledhjen e kaluar të KQZ-së është vendosur që të shkojë në rinumërim.

Dushi tha se ky vendvotim është dërguar pa të drejtë në rinumërim.

“Është shumë me rëndësi me ditë qe hetimi përfshin edhe rinumërimin. Ju pa të drejtë, e keni quar në hetim. Ai i ka plotësuar të gjitha kriteret për tu proceduar si i rregullt”.

“Duke bërë kalkulime të votave të kandidatëve provojmë me dramatizuar një situatë për një vendvotim i cili del se i plotëson kriteret. Kërkoj nga ky institucion që të shmanget nga çështjet politike”, u shpreh ai.

Më pas reagoi Kurteshi i VV-së, i cili akuzoi se ka pasur vjedhje industriale në këtë vendvotim nga PDK-ja e LDK-ja.

“Këtu ka pasur përpjekje për vjedhje industriale nga PDK-ja dhe LDK-ja. Në një vendvotim në Fushë-Kosovë, në Harilaq komisionarët e PDK-së dhe LDK-së kanë filluar me i vulos fletëvotimet e përdorura, dmth me vjedhë, me i vulos pa qenë njerëzit dhe kur iu është tërhequr vërejta, i kanë shqyer. Kemi përpjekje për vjedhje, nuk do të ngjajë më kjo”.

Alim Rama, po ashtu përfaqësues i VV-së, ka thënë se “ky vendvotim është dëmtuar aq shumë sa nuk duhet të kalojë”.

“Pres një hetim të Prokurorit. Mendoj që këtu ka ndodhë diçka shumë e madhe sesa që e kemi në raportin e sekretariatit. Pse është hapur kutia pa vendim të KQZ-së. Në mbledhjen e fundit kemi kërkuar hetim. Ky vendvotim është aq i dëmtuar sa që nuk duhet te kalojë”, ka thënë ai.

Kryeshefi i Sekretaritatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, bëri të ditur se Policia e Kosovës, të dielën e 17 tetorit kur u mbajtën zgjedhjet – ka konfiskuar 22 fletëvotime të dëmtuara nga ky vendvotim.

Shtoi se, “Nuk është cenuar integriteti i fletëvotimeve. 22 fletëvotime gjatë ditës janë dëmtuar dhe janë futur në zarfin 1. Numri i fletëvotimeve të hedhura në kuti është i njëjtë me numrin e nënshkrimeve”.

Më 21 tetor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka vendosur që të dërgoj në rinumërim 23 vendvotime në total, të cilat nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta, pasi ka pasur probleme të natyrave të ndryshme kryesisht teknike./SHQIP.com