Lajme

Përplasje mes pozitës e opozitës në Komisionin Parlamentar për rezervat shtetërore

Anëtarët e Komisionit Parlamentar në lidhje me keqpërdorimet e mundshme me rezervat shtetërore janë bërë bashkë për të diskutuar në lidhje me kërkesat për sjellje të dokumentacioneve që kanë të bëjnë me këtë çështje.

Me këtë rast, kryetari i komisionit nga radhët e PDK-së, Rashit Qalaj, akuzoi deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, për ndërhyrje në punët e ministrisë së Industrisë. Ai tha se përmes një email-i, deputeti Thaçi i ka thënë Ministrisë se nuk është e obliguar që të sjellë dokumentacionin e nevojshëm.

“Ne në takimin që kemi mbajtur të hënën e kaluar jemi dakorduar që të gjithë deputetët e grupeve parlamentare që e përfaqësojnë këtë komision të dorëzojnë kërkesat për sjellje të dokumentacionit deri ditën e martë. Përveç kërkesës që e kemi sjellë ne nga PDK, nuk kemi pasur ndonjë kërkesë tjetër. Mirëpo pastaj ministrisë i është dërguar një email nga deputeti Halil Thaçi. Në email thuhet se këto kërkesa nuk janë të komisionit por të deputetit Rashit Qalaj dhe se ministria nuk ka obligim të përgjigjet. Kjo është ndërhyrje në punët e ministrisë. E konsideroj si sinjal t’i thuhet ministrisë mos e lexo dokumentin”, shtoi ai.

Ndaj deputetit Qalaj replikoi ai i LVV-së, Halil Thaçi.

“Vetë e bëre pyetjen dhe vetë përgjigjen kur thatë se i kemi marrë dy vendime të ndryshme në mbledhjen e fundit. Ne i kemi dërguar shkresë prokurorit nëse hetimi që po e bëjmë do ta pengon punën e tij. Në të njëjtën kohë keni kërkuar dokumentacion nga ministria. Është e papranueshme të procedojmë me kërkesa për dokumentacion pa pasur përgjigjen e prokurorit të shtetit. Andaj, ne, kemi kërkuar sqarim nga prokurori, i cili nuk ardhur ende”, theksoi ai.

Nga mazhoranca thanë se duhet të pritet vendimi i prokurorit e pastaj të kërkohet dokumentacion nga Ministria. /RTK

/Shqip.com