Lajme

Përparim Rama: Nuk i kemi ndarë postet me PDK-në

Përparim Rama, kandidat i LDK-së për kryetar të Prishtinës

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës nuk i kanë ndarë postet për qeverisje lokale.

Këto komente, Rama i bëri pas zgjedhjes së kryesusesit të Kuvendit Komunal, Fehmi Kupina.

“Nuk i kemi ndarë postet me PDK-në, kjo varet krejt prej njerëzve që na ofrojnë. Një gjë e mirë është që programi jonë ka qenë shumë i detajizuar, kemi ngjashmëri shumë me partitë tjera në program dhe nuk do të kemi probleme. Pra është vetëm në gjetjen e njerëzve adekuat”., ka thënë ai.

I pari i Prishtinës, u ka bërë thirrje partive të tjera t’i bashkohen Ramës në bashkëqeverisje për zhvillimin e projekteve.

“Ne e kemi për detyrë ndaj tyre që ta bëjmë një për bashkim të kemi shumicën, që projektet e tona t’i zbatojmë në përpikëri, prandaj edhe duhet që të gjithë partitë që kanë interes të për bashkohen. Tash e zgjodhëm kryesuesin, tash jemi edhe në zgjedhjen e ekipit më të mirë. Kjo nuk do t’i ngadalësojë punët”, deklaroi Rama.

Fehmi Kupina- kryetar i Kuvendit Komunal të Prishtinës

Theksojmë se Fehmi Kupina, nga Lidhja Demokratike e Kosovës është zgjedhur Kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës.

Zgjedhja e Kupinës në krye të Kuvendit të Prishtinës pati sukses tek herën e tretë, pasi që në dy herat e para dështoi në mungesë të votave.

Kupina, para asamblistëve u zotua për punë dhe përgjegjësi duke theksuar se “qytetari i Prishtinës, do të jetë kryefjala e çdo zhvillimi në kryeqytet”.

Pro zgjedhjes së Kupinës votuan 25 asamblistë, nga 42 sa ishin prezent në sallë.

Përparim Rama më 7 dhjetor mori zyrtarisht detyrën e kryetarit të Prishtinës nga ish-kryetari i kësaj komune, Shpend Ahmeti./Shqip.com