Lajme

Përleshje midis dy grupeve, lëndohet një person

Foto ilustruese

Një rrahje midis dy grupeve ka ndodhur gjatë orës 03:20 minuta pas mesnate në rrugën Kllokot-Viti gjatë ditës së djeshme.

Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar, Ismet Hashani- zëdhënës në Policinë e Kosovës për rajonin e Gjilanit.

“Stacioni Policor Kllokot më 07.01.2023 rreth orës 03:20, ka pranuar një informatë për një rrahje në rrugën Kllokot-Viti. Njësitet policore, me urgjencë i janë përgjigjur rastit. Policia ka kontaktuar me ankuesit, por nuk kanë arritur të takojnë apo identifikojnë të dyshuarit e mundshëm. Pasi ankuesit ishin nën ndikim të alkoolit njëri 1.63 promila dhe tjetri 0.91 promila nuk janë intervistuar fillimisht. Bazuar në informacionet e para kemi te bëjmë me një rrahje në mes dy grupeve të personave dhe si pasojë një person ka marr lëndime të lehta trupore dhe i njëjti ka pranuar tretman mjekësor. Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit i cili rastin e ka cilësuar si ‘Lëndim i lehtë trupor’”, ka thënë fillimisht Hashani.

Më tutje sipas Hashanit, njësitë policore të Hetimeve Rajonale Gjilan se bashku edhe me hetuesit e Stacionit Policor Kllokot kanë vazhduar procedurat hetimore duke bërë shikimin e vendit të ngjarjes, përfshirë këqyrjen e kamerave të sigurisë që janë në atë zonë ku dyshohet të ketë ndodhur rasti. 

Po ashtu është bërë e ditur se Hetuesit policorë në koordinim me Prokurorin e Shtetit e shtetit po punojnë intenzivisht në grumbullimin e dëshmive lidhur me rastin dhe zbardhjen e tij, në mënyrë që të dyshuarit të vihen para organeve të drejtësisë.

/Shqip.com