Kulturë

Përkujtohet shkrimtari i persekutuar Vehbi Skënderi

Përkujtohet shkrimtari i persekutuar Vehbi Skënderi
Përkujtohet shkrimtari i persekutuar Vehbi Skënderi

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujton sot shkrimtarin dhe poetin Vehbi Skënderi.

Ai u lind në fshatin Strelcë të Korçës në maj të vitit 1927. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes në vitet 1934-1939 ndërsa studimet fetare i kreu ne Medresenë e Lartë në Tiranë. Në vitin 1944 u pranua në radhët e Partisë Komuniste Shqiptare. Kreu fillimisht shkollën e mesme profesionale në degën rusisht e në vitet 1956-1961 kreu Fakultetin e Histori-Filologjisë me rezultate shumë të mira. Veprimtarinë si gazetar do ta fillonte në gazetën “Arma e Mbrojtjes”. Më 1950, me propozimin e poetit Lasgush Poradeci, u pranua si anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë.

Më 1953 botoi librin e parë poetik, “Këngët e para”. Ka botuar librat poetike “Vjersha” (1958), “Fletë nga ditari im” (1964), “Vjershat dhe poemat e Drinit” (1969), “Vdekja e Ofelise” (1971), “Shqiponja e Vermoshit” (1972), “Përsëri mëngjes” (1973), Vjersha dhe poema të zgjedhura- “Kolana e poezisë shqipe” (1973), “Nxitoj” (1987), “Hëna e vjedhur” (2000), “Zvicra, Shqipëria ime” (2004). Për “Fletë nga ditari im”, në vitin 1966 Vehbi Skenderi mori Çmimin e Republikës.

Po atë vit, me një grup intelektualësh të shquar, ai përgatiti një pamflet dhe e dorëzoi për botim në Zërin e Popullit. Në këtë pamflet kritikoheshin rëndë Instituti i Historisë dhe Instituti i Gjuhësisë. Pamfleti nuk u botua nga Zëri i Popullit, i cili ia dorëzoi dorëshkrimin sekretarit të parë të Tiranës dhe me të u mor Byroja Politike.

Në Komitetin Qendror, gjatë seancave të terrorit të gjyqit politik e akuzonin për veprimtari antiparti sepse sipas tyre sulmonte institucionet e diktaturës dhe për nacionalist meqë kishte deklaruar se Kosovën e shihte si pjesë të Shqipërisë.

Më 1967, për pesë vjet rresht Vehbi Skënderi, tashmë autor i ndaluar, u dërgua në Vaun e Dejës i dënuar me punë korrektuese. Më 1974 Sigurimi, nën udhëzimet e Sekretarit të Parë të Tiranës, sajon të tjera raprezalje kundër Vehbi Skënderit, i cili përjashtohet nga partia, nga Lidhja e Shkrimtarëve, nga puna, i digjen librat dhe i ndalohet botimi. Më 1975 internohet në Shkodër, por vendimi anulohet nga organet e rrethit të Shkodrës. Më 1976 internohet në Zall-Mner të Tiranës, por edhe ky vendim anulohet. Pas katër vitesh pa punë, ai caktohet punëtor transporti në Kombinatin Poligrafik. Del në pension ne vitin 1987 teksa kryente funksionin e korrektorit në repartin e dispensave ne Kombinatin Poligrafik. Prej 15 qershorit të vitit 1996 Vehbi Skënderi jetoi dhe krijoi në Zvicër ku ndërroi jetë në 13 qershor 2011.

/Shqip.com