Lajme

Përhapja e “Omicron” dhe “Delta”, MSH apel qytetarëve për vaksinim

Ilustrim.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë apel ndaj qytetarëve për vaksinim anti-COVID’19, për të ndaluar përhapjen e varianteve “Omicron” dhe “Delta”, përcjell Shqip.com.

Përmes njoftimit, Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar nga qytetarët edhe bartjen e maskës, shmangien e vendeve me shumë njerëz dhe mbajtjen e distancës me personat tjerë.

“Me përhapjen e varianteve Omicron & Delta, ne e dimë se çfarë funksionon për të kontrolluar përhapjen e COVID19 dhe kjo nuk ka ndryshuar:

Vaksinohu, Vendosni maskë, Mbani distancë së paku 1 metër, Pastroni duart, Hapni dritaret, shmanguni vendeve me shumë njerëz, ambientet e mbyllura, Testimi, izolimi dhe masa e karantinës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Ndryshe, dhjetëra mostra për testim të variantit Omicron, do të nisen të marten nga Kosova drejt Gjermanisë.

Rezultatet e tyre pritet të vijnë brenda tre apo katër javësh.

Kështu ka bërë të ditur drejtori i Departamentit të Mikrobiologjisë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Xhevat Jakupi.

Varianti Omicron, i shfaqur për herë të parë në Afrikën e Jugut, është konsideruar “shqetësues” nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Kjo ka bërë që shumë vende të ashpërsojnë masat anti-COVID për të frenuar një valë tjetër të mundshme.

Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës dje njoftoi për masat e reja anti-COVID, që janë marrë me arsyetimin e paraqitjes së këtij varianti në rajon./SHQIP.com