Lajme

Përgjimi Mimoza-Sllavko: “PDK-ja më ka shkaktuar më së shumti dëme” (Pjesa e dytë)

Dhe… është publikuar edhe pjesa e dytë e përgjimeve të Mimoza Kusarit-Lilës, shefes së deputetëve të VV-së, me Slavko Simiqin e Listës Serbe.

Gazetari Berat Buzhala ka treguar se si në këtë përgjim Sllavko Simiqi i thotë Kusarit se (siç) do t’i thyhej koka edhe asaj edhe kryeministrit Kurti dhe se kishte folur pesë herë me të dyshuarin për krime, Millan Radojiçiqin. Mimoza Kusari mbeti në heshtje. Ajo dje në një emision kishte thënë që kishte biseduar vetëm njëherë.

Në pjesën në vazhdim, me tone dashamirëse, Mimoza e VV-së me Sllavkon e Srpskas flasin edhe për gjëra tjera.

Aty është edhe një mesazh i Radojiçiqit të cilin ia lexon Simiqi znj. Kusari. Radojiçiqi i thotë Kusarit se PDK-ja i ka shkaktuar “më së shumti dëme në jetë” dhe se do të përballej me ta “sa të ishte gjallë”.

Dhe derisa Radojiçiqi po vazhdonte të ankohej para shefes së deputetëve të VV-së për trajtimin që po i bëhej nga shteti i Kosovës, në një moment ia thotë edhe kjo fjalë në mesazh:

“Ndoshta kam mundur unë që të publikoj komunikimin që kemi pasur unë e ti, drejtpërdrejtë – kjo është ajo që të përfoli unë – por, jo, jam në rend të parë njeri që këtë nuk e bën e pastaj politikan që ju e keni nënçmuar shumë”, shkruhet tutje në atë mesazh.

Kusari më pas interesohet se për çfarë arsyesh e kanë vënë në listë të zezë të Amerikës Radojiçiqin dhe se pse Lista Serbe nuk po ia shprehte shqetësimet ambasadorit amerikan.

Kujtojmë se Nacionale do të publikojë edhe një përgjim tjetër të komunikimit mes Kusarit dhe Simiqit.

Ditën e djeshme është publikuar përgjimi i parë, e ku në mënyrë të qartë Kusari e pranonte se kishte komunikuar me të dyshuarin për krime të ndryshme Millan Radojiçiqin.

Çka bisedoi Mimoza Kusari-Lila me Milan Radojiçiq? (Pjesa e parë)

Gazeta Nacionale ka publikuar pjesën e parë të përgjimit të bisedave të shefes së grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lilës, me deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq.

Gazetari Berat Buzhala në hyrjen e përgjimeve të para ka zbuluar se këto incizme janë bërë në qershor të vitit të kaluar. Biseda ndërmjet Kusari-Lilës e Slavko Simiqit është bërë në zyrën e shefes së grupit parlamentar të Vetëvendosjes.

Në hyrje të bisedës, Slavko Simiq ia përmend Kusari-Lilës një bisedë që kjo e fundit e ka bërë me Milan Radojiçiqin. Njeriu në listën e zezë të Amerikës, i dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe i dyshuar për rastin Brezovica.

Në atë moment, Kusari-Lila ndërhyn duke i thënë “3-4 minuta”. Pra, duke pretenduar se nuk ka biseduar me Radojiçiqin 30-40 minuta, por 3-4 minuta, raporton ekskluzivisht Nacionale.

Në përgjimet e tjera që do të publikohen ditëve në vazhdim Kusari-lila koordinohet me Listën Serbe për temën e veteranëve, i ofendon kolegët e vetë nga partitë në opozitë dhe një letër që Radojiçiq ia ka përcjellur shefes së grupit parlamentar të Vetëvendosjes.

Slavko Simiq dëgjohet teksa i thotë Kusari-Lilës se ne që nga fillimi kemi pasur raport partnerësh. Këtë, shefja e deputetëve të VV-së nuk e mohon asnjëherë.

PJESË NGA BISEDA:

Slavko: “Ti e din që unë të kam lidhë me Millanin, keni bisedu ka 30-40 minuta për me gjetë ndonjë zgjidhje”

Mimoza: “Dy tre minuta”

Slavko: “Një herë keni bisedu gjatë, ku keni bisedu për energjinë në veri, a e mban mend”

Slavko: “Kemi provu me gjetë zgjedhje edhe me ndërtu një raporto partnerësh dhe çfarë ndodhi, njeri që marrim direkt instruksione, që e ka një diapazon të gjanë për secilin prej nesh, pa të cilin nuk mund të bëjmë asgjë… disa vendime që i marrim bashkë me të, nuk mundet me ndiku as Vuçiqi.”

Mimoza: “E kush është kryesori, Rakiq apo?”

Slavko: “Milani bre është kryesori, po çfarë Rakiqi, i cili është veç kryetar i Listës Serbe dhe anëtar i Qeverisë, ama kur të vjen puna për me marrë vendime, për këtë sene nuk ka nevojë as me më pyet sepse t’i kam shpejgu kur kemi bisedu… Njeriu nuk e ka meritu aspak tretmanin që i është bërë, duke e futë në listën e ndalimit”

Mimoza: “Pse po më thua mua?”

Slavko: “Ti mu më ke thënë, ti mu më ke thënë që ki me folë me kryeministrin edhe që kryeministri ka me shiku se për çka bëhet fjalë, që ka me folë edhe me ministren e Drejtësisë edhe me ministrin e Punëve të Brendshme, a është qishtu? Pastaj kur e kemi pasë situatën me zgjedhjet, vetëm po të kthej pak në retrospektivë… edhe ti e ki pamjen e gjanë, asnjë palë zgjedhje nuk kishin me u ba në veri të vendit, mos t’ish kanë Millani edhe heqja e barrikadave, ai nuk është aspak person destruktiv për Kosovën…”

Slavko: “Ti e din që prej fillimit që e kemi pasë një raport partnerësh…, e tash ti mu po më pyet për këtë ligj kur na kena probleme më të mëdhaja.”

Mimoza: “E di Slavko, e di, ama tash krejt këto pika që janë në agjendë e ato nuk mund të hjekën nëse ne nuk votojmë ashtu siç kemi folë ose nëse qeveria nuk tërhiqet…”

Video më poshtë e keni përgjimin e plotë të pjesë së parë.

/Shqip.com