Lajme

Përgjimet në SkyEcc/ 2 milion euro të pista hynë nga porti i Vlorës, u dorëzuan tek Exchange përballë Bankës së Shqipërisë! (Dosja e SPAK)

Detaje të reja kanë dalë nga dosja hetimore e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) ndaj grupit kriminal të goditur disa javë më parë.

Në përgjimet e administruara nga hetuesit janë zbardhur biseda në aplikacionin e enkriptuar Sky ECC, ku flitet për transportimin e sasive të mëdha të parave të përfituara nga trafikimi i kokainës drejt Shqipërisë.

Sipas dosjes, paratë dyshohet se futeshin në vend të fshehura në automjete që mbërrinin me tragetet në Portin e Vlorës.

Në një bisedë të janarit 2021, personi nën hetim Ardian Zykaj komunikon me anëtarë të tjerë të grupit për dy ngarkesa parash që do të mbërrinin me rrugë detare.

Nga komunikimet rezulton se bëhej fjalë për rreth 2 milionë euro. Në biseda përmenden dy dërgesa prej 1 milion eurosh secila, ndërsa llogaritet edhe kostoja e transportit prej 2%, duke mbetur rreth 980 mijë euro për çdo ngarkesë, ose afro 1.96 milionë euro në total.

Pjesa që tërheq vëmendjen e hetuesve lidhet me destinacionin e këtyre parave. Në komunikimet e zbardhura, njëri prej pjesëmarrësve udhëzon që shumat të dorëzohen në një pikë këmbimi valutor (exchange) në Tiranë. Në bisedë thuhet: “Adresa është tek Dollari”, ndërsa më pas personat komunikojnë se kanë mbërritur pranë pikës së caktuar dhe koordinojnë dorëzimin e parave.

Sipas dyshimeve të SPAK, exchange-i që ndodhet përballë Bankës së Shqipërisë mund të jetë përdorur për pastrimin e parave të përfituara nga trafikimi i lëndëve narkotike.

Kjo pistë është pjesë e hetimeve, ndërsa organi i akuzës po verifikon rolin që mund të kenë pasur personat dhe bizneset e përfshira në qarkullimin e këtyre shumave.

Hetimet vijojnë për të dokumentuar të gjithë skemën e transportimit, dorëzimit dhe dyshimeve për pastrimin e parave që burojnë nga aktiviteti kriminal i grupit.

Biseda e zbardhur nga Sky ECC (Janar 2021):

Personi 1: Lale, këtu në grup chat të gjitha. Shkruaj këtu në grup chat.

Personi 2: Ku t’i çoj lekët?

Personi 1: Të thotë shoku që është këtu në grup chat. Lekët do t’i dorëzoni në një pikë exchange në Tiranë.

Personi 2: Ok, nesër në rregull.

Personi 1: Nesër vijnë në Vlorë 1 milion euro. Me 2% transporti i bie 980 mijë euro. Edhe një ngarkesë tjetër i bie 980 mijë euro.

Personi 1: Pra, në total janë 1 milion e 960 mijë euro për t’u çuar në transfer te exchange-i në Tiranë.

Personi 2: Sapo u fut trageti në port. Besoj për një orë i marr gjërat dhe nisem. Më çoni pastaj adresën.

Personi 1: Adresa është tek “Dollari”.

Personi 2: Ok vëlla, kur të jem atje të të them.

Personi 2: Unë erdha tek “Dollari”. Ja sa të më përgjigjet dhe të më orientojë.

Personi 2: Tek posta jam, me një Golf.

Personi 1: Do t’i numëroni lekët.

/Shqip.com