Lajme

Përgjigje masive për regjistrim në Luginë, shqiptarët kërkojnë monitorim rigoroz

110 mijë e 16 qytetarë në Luginë të Preshevës i janë përgjigjur procesit të regjistrimit të popullsisë.

Komuna e cila prinë me numrin më të madh të qytetarëve të regjistruar, është ajo e Preshevës.

Kryeshefi i Administratës komunale, Hevzi Ramadani, ka thënë se rreth 95 për qind e regjistrimit ka përfunduar.

“Procesi është duke ecur mirë dhe deri më tani rreth 95 për qind e procesit ka përfunduar. Numri i të regjistruarve deri më tani është 55.376 qytetarë”, tha ai për SHQIP.com.

Hiq më keq në shifra nuk qëndron as Komuna e Bujanocit, e cila numëron 48 mijë e 600 qytetarë të regjistruar.

“Regjistrimi po shkon mirë. Probleme ka, por ato janë teknike, aplikacioni është problem për arsye se ka shumë shtëpi e banesa të reja, të cilat nuk ekzistojnë në sistemin bazë të gjeodezisë, e në momentin kur i regjistrojmë në map (hartë), ai numër është i madh e vie deri tek problemet me aplikacion”, tha anëtari i komisionit në këtë komunë, Kastriot Jakupi.

Sipas tij, të gjithë banorët janë duke u regjistruar, madje edhe mërgata që jetojnë jashtë Serbisë.

Medvegja me numrin më të ulët të banorëve të regjistruar

Ndryshe nga Presheva e Bujanovci, qëndron komuna tjetër, ajo e Medvegjës.

Kjo komunë shënon shifra dukshëm më të ulëta me numër të banorëve të regjistruar deri më tani.

E poashtu, po përballet me pengesa në procesin e regjistrimit.

Anëtarja e komisionit në komunën e Medvegjës, Lirona Zuka, ka thënë për SHQIP.com, se që nga fillimi i procesit, regjistruesit shqiptarë nuk janë lejuar të dalin në vendbanime etnikisht të pastra me shqiptarë.

“Procesi i regjistrimit në komunën e Medvegjës kishte parregullsi dhe vështirësi që nga fillimi, duke mos lejuar që regjistruesit shqiptarë të dalin në vendbanime etnikisht të pastra me shqiptarë, duke mos lejuar të asistojnë, të lehtësojnë pyetjet, pastaj shpjegimin e formularit në gjuhën shqipe, pasi në përgjithësi në fshatrat shqiptare ishin regjistruesit serbë”.

Ajo tha se deri më tani, janë regjistruar 6 mijë e 40 banorë.

“Numri i të regjistruarve është shumë më i madh se në herën e fundit, mirëpo edhe tash ka shumë shqiptarë që nuk kanë arritur të regjistrohen, pasi një regjistrues ka pasur të përfundojë tri nga katër rrethet, të cilat kanë qenë të parapara për t’u përfunduar dhe kjo ka bërë që ata të mos kenë kohë, pasi kanë qëndruar vetëm disa ditë në vendlindje”.

Shqiptarët kërkojnë monitorim rigoroz

Këto shifra siç duket nuk i kanë pëlqyer, presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, i cili është “alarmuar’’ nga statistikat e regjistrimit të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, duke thënë se shumë familje regjistrojnë anëtarë që nuk jetojnë në Serbi.

Për këtë deklaratë, Kryeshefi i Administratës komunale të Preshevës, Hevzi Ramadani, ka kërkuar monitorim në punën e Entit Republikan të Statistikave.

“Pas deklaratës tendencioze të presidentit të Serbisë, në mënyrë që mos të manipulohet me shifra, Komisioni komunal për regjistrim të popullsisë në Preshevë, kërkon monitorim në punën e Entit Republikan të Statistikave me përfaqësues shqiptarë gjatë përllogaritjes së rezultateve preliminare të regjistrimit të popullsisë që do të shpallen më së voni deri më 30 nëntor 2022”.

Ai ka thënë se shqiptarët janë llogaritur pak, por janë shumë.

“Ne, nuk po dalim shumë, por jemi shumë. Na keni llogaritur më pak dhe ndryshe po ju dalin numrat. Numrat tanë janë në rregull”, ka thënë Ramadani.

Ndërkaq, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa, ka thënë për Shqip.com, se regjistrimi i shqiptarëve në Entin e Statistikave, është si kundërpërgjigje ndaj diskriminimit që iu bëhet atyre.

“Ajo që është e rëndësishme është se shqiptarët e Luginës së Preshevës do të dalin me numrin e saktë si kundërpërgjigje ndaj diskriminimit tyre. Të ju kujtoj që në vitin 2011, shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë bojkotuar regjistrimin. Në entin e statistikave, në të gjithë Serbinë janë 5509 shqiptarë ndërsa, 1180 shqiptarë në Luginën e Preshevës”.

Deri në përfundim të procesit të regjistrimit të popullsisë në Serbi, kanë mbetur edhe 5 ditë, ndërkaq krerë të institucioneve kosovare u kanë bërë thirrje vazhdimisht shqiptarëve që të marrin pjesë në regjistrim.

/Shqip.com