Lajme

Përfundon takimi Osmani-Fajon, u diskutua për situatën mes Kosovës dhe Serbisë

Ka përfunduar takimi në mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit dhe kryediplomates sllovene, Tanja Fajon.

Sipas zyrës së presidentes, në këtë takim është diskutuar për situatën në mes Kosovës dhe Serbisë, veriun dhe dialogun.

“Presidentja Osmani dhe Zëvendëskryeministrja Fajon diskutuan edhe për zhvillimet aktuale në veri të vendit dhe përpjekjet e institucioneve të Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit. Kurse sa i përket dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani ka potencuar se Kosova mbetet palë konstruktive, por Serbia me obstruksionet e saj dhe duke përdorur bandat kriminale në veri të vendit po përpiqet ta destabilizojë Kosovën dhe ta pengojë dialogun. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim Zëvendëskryeministren e Sllovenisë, znj. Tanja Fajon, njëherësh Ministre e Punëve të Jashtme”, thuhet në njoftimin e ZP-së.

Krahas kësaj, në këtë takim, Osmani ka kërkuar mbështetje nga Sllovenia për rrugëtimin euroatlantik të Kosovës dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

“Megjithatë, Presidentja Osmani theksoi se Kosova është e përkushtuar për paqe e stabilitet dhe se synim parësor mbetet integrimi euroatlantik i Kosovës. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka kërkuar mbështetjen e Sllovenisë për rrugëtimin euroatlantik të Kosovës dhe anëtarësimin në organizata të tjera ndërkombëtare”.

Vlen të theksohet se Fajon sot është takuar edhe me ministren e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvallën.

Nga takimi me Gërvallën , Fajon ka thënë se negociatat në mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve në mes njëra-tjetrës duhet të fillojnë mbi propozimin franko-gjerman i cili është mbështetur edhe nga Bashkimi Evropian.

/Shqip.com