Lajme

Përfundon takimi i emisarëve me kryeministrin Kurti, Lajçak: Ishte i gjatë, por jo i lehtë

Ka përfunduar pas më shumë se dy orësh takimi i kryeministrit Albin Kurti me pesë emisarët specialë për dialogun Kosovë-Serbi.

Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pas takimit me Kurtin në një deklaratë për media tha se takimi ishte i gjatë, e mbi të gjitha jo i lehtë.

“Ne jemi këtu me një delegacion të fuqishëm, që është sinjal se ne jemi të zotuar për një normalizim të raporteve Kosovë-Serbi. Takimi zgjati më shumë se dy orë, i gjatë, i hapur, i sinqertë, por jo i lehtë”, tha Lajçak para mediave.

Ai ka treguar se qëllimi i këtij takimi ishte që të diskutohen propozimet e planit franko-gjerman dhe të gjinden rrugët për normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Qëllimi i këtij takimi me Kurtin ishte që të diskutojmë propozimin që ja kemi paraqitur në shtator dhe dhjetor. Është shumë herët që të bëjmë një deklaratë dramatike sepse siç e dini jemi në mes të misionit dhe do të vazhdojmë për në Beograd.

Ajo që dëshiroj të them është që kemi pritur mirëkuptim që do të shfrytëzohet potenciali i këtij propozimi dhe ne do të vazhdojmë që të punojmë për këtë”, tha Lajçak.

Përveç emisarit Lajçak në takim me Kurtin ishte edhe i deleguari amerikan, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesit e liderëve të Gjermanisë, Francës e Italisë.

/Shqip.com