Lajme

Përfundon seanca gjyqësore kundër Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të akuzuar për vrasjen e Marigona Osmanit

Seanca kundër Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut

Ka përfunduar seanca e sotme gjyqësore ndaj të akuzuarve për vrasjen dhe dhunimin e 18-vjeçares nga Ferizaj, Marigona Osmanit.

Dardan Krivaqa ka shfrytëzuar të drejtën të mbrohet në heshtje, kurse Arbër Sejdiu, u deklarua i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Krivaqa edhe u pa duke qarë në Gjykatë, derisa u dërgua atje i veshur me jelek anti-plumb.

Në gjykim morën pjesë edhe prindërit e Marigona Osmanit, derisa u pa prezencë e shtuar e zyrtarëve policorë.

Krivaqën prokuroria e ngarkon me veprën penale vrasje e rëndë dhe dhunim, kurse Sejdiu po akuzohet për veprën penale vrasje e rëndë dhe ndihmë në kryerjen e dhunimit.

Kurse, nga informacionet që Prokuroria thotë se ka marrë nga Policia, vërtetohet se Dardan Krivaqa që nga viti 2006 ka qenë i dyshuar për 133 vepra të ndryshme penale. Edhe Arbër Sejdiu ka disa vepra penale.

Në detajet nga aktakuza e ngritur, thuhet se më 21 gusht 2021, Dardan Krivaqa në banesën e tij pa pëlqimin e tanimë të ndjerës e detyron atë të kryejë marrëdhënie seksuale.

I akuzuari tjetër Arbër Sejdiu, akuzohet se me dashje ka ndihmuar në kryerjen e dhunimit nga ana e Dardan Krivaqës. Aktakuza përshkruan se dy të akuzuarit ishin takuar në qytet dhe pasi ishin kthyer bashkë në banesë, Sejdiu ishte në dijeni për dhunimin që po i bëhej tani të ndjerës./SHQIP.com