Lajme

Përfundon Samiti për Ukrainën/ Foto familjare e liderve me Zelensky, bashkohen edhe Osmani me Vuçiç

Kanë përfunduar punimet e Samitit për Ukrainën në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.

Samiti u drejtua nga kryeministri Edi Rama dhe presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky.

Në përfundim, liderët realizuan edhe foton familjare bashkë me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Fotos familjare i është bashkuar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani si dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.

Samiti i Tiranës vuri theksin te domosdoshmëria për të ndihmuar Ukrainën me armatime për t’i bërë ballë agresionit ushtarak të Rusisë.

Kryeministri Edi Rama deklaroi prerë se në rast fitoreje të Vladimir Putin, do të vihej në rrezik edhe vetë ekzistenca e BE-së.

“Sapo kemi kaluar përvjetorin e dytë të sulmit rus në Ukrainë. Duam të përtërijmë thirrjen tonë për Rusinë të ndalë këtë luftë dhe të angazhohemi për paqen. Një paqe që respekton Ukrainën dhe të drejtat e saj. Mblidhemi këtu për të konfirmuar se mbetemi të vendosur përkrahë Ukrainës përballë një kërcënimi real për rendin e Europës dhe atë global.

E them herë pas here, mikut tim të dashur, presidentit ukrainas, vetë nuk kemi kapacitetet për të ofruar mbështetjen financiare e ushtarake për Ukrainën, por i bashkohemi thirrjes për pjesëtarët më të mëdhenj të aleancës sonë se siguria jonë varet nga mbështetja e tyre, e cila nuk duhet të jetë peng i vonesave burokratike. Në këtë rajon, pas më shumë se një çerek shekulli brenga të lëna nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë dhe dikaturës së fundit të Europës ende duhen shëruar.

E vetmja zgjidhje që kemi është të rezistojmë ndaj forcave që duan të shpërbëjnë atë që kemi ndërtuar deri tani. Duhet të vazhdojmë të gjithë të jemi së bashku dhe të mobilizojmë lidhjet dhe kapacitetet tona e burimet tona, ajo çka na bën bashkë, institucionet tona, organizatat tona, të bëjmë gjitha që mundemi për të mos e lënë agresionin të shpërblehet. Ne s’mund ta lëmë Rusinë të fitojë, e Ukrainën të humbasë, një rezultat i tillë do ishte i papërballueshëm dhe ekzistenca e BE do ishte në rrezik, një ardhme që është shumë e dhimbshme. Kjo luftë është edhe për lirinë dhe dinjitetin tonë për një paqe të drejtë për Ukrainën dhe popullin e saj.

Shqipëria ka bërë sa mundet dhe do vazhdojë të bëjë edhe më tej. Së fundi për shumë ato kombe të vogla, si ne që nuk duhen të kthehen ushqim për rolin imeralist të Rusisë, kemi nevojë për qartësi absolute rreth Ukrainës, solidaritet të palëkundur me Ukrainën”, tha Rama.

Ndërsa presidenti i Ukrainës, Vlodymyr Zelensky falenderoi Shqipërinë për mbështetjen.

Përpara liderve të Europës Juglindore, Zelensky tha se regjimi i Putinit duhet të humbasë.

“Falenderoj Ramën për mbështetjen tuja personale dhe kombëtare. Është hera e dytë që takohemi në një format të tillë, i pari në Athinë. Vlerësoj mikpritjen dhe mundësinë për të diskutuar si mund të fuqizojmë të gjithë Europën. Tani po përcaktohet rrugëtimi që do ndjekë Europa në brezat e ardhshëm. Putini, gjithçka që ai bën është një përpjekje që diktatet e vjetra të vendosin se cfarë duhet të bëjnë kombet. E rëndësishme për shtetet tona të lira që regjimi i Putinit të humbasë. Vizioni ynë për Europën bazohet tek parimi i dinjitetit. Nuk duhet të ketë Europë me dinjitete të ndryshme në të“, tha Zelensky.

/Shqip.com