Lajme

Përfundon samiti BE-Ballkani Perëndimor

Samiti BE-Ballkani Perëndimor

Ka përfunduar samiti BE-Ballkani Perëndimor, ku morën pjesë 27 liderët e vendeve të Unionit, përfshirë presidentin e Këshillit të BE-së, presidenten e Komisionit Evropian dhe gjashtë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor.

Pas punimeve pasoi edhe fotografia familjare e këtij samiti, e të gjithë pjesëmarrësve të këtij takimi.

Teksa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shihet të jetë pozicionuar në rreshin e dytë të liderëve.

Pas realizimit të fotografisë, udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor i janë drejtuar konferencës për shtyp, ku priten të zbulojnë konkluzionet e këtij takimi.

Në këtë samit, Osmani bëri thirrje për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në samitin BE-Ballkani Perëndimor

Ajo tha se Kosova i ka plotësuar kriteret për liberalizimin e vizave ndërsa i kërkoi BE-së që ta “marrë hapin e guximshëm”.

“Ironia është që ne jemi këtu si anëtarë të barabartë të komunitetit ndërkombëtar, duke diskutuar agjendën evropiane, por sigurisht që unë ulem mes jush sot këtu si i vetmi person – i vetmi person – në këtë tryezë që duhet të marrë një vizë për të marrë pjesë në këtë samit.

Lexo edhe:
Osmani ne Bruksel: Kosova është gati, ka ardhur koha për vendime të guximshme nga BE-ja

Është koha për vendime të guximshme, e jo për gjysmë hapa, për sa i përket integrimit. Kosova dhe vendet demokratike të Ballkanit Perëndimor meritojnë më mirë. Ne jemi këtu përkrah jush dhe jemi pjesë e kësaj familjeje. Na leni të hyjmë brenda!”, ka thënë Osmani para shefave të BE-së.

Kosova është shteti i vetëm në Evropë që ende nuk gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë, pavarësisht se Komisioni Evropian dy herë ka theksuar se Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave./Shqip.com