Kulturë

Përfundon restaurimi i kishës së Shën Mërisë në Labovë të Kryqit

Kisha e Shën Mërisë në Labovë të Kryqit
Kisha e Shën Mërisë në Labovë të Kryqit

DRTK Gjirokastër në bashkëpunim me përfaqësuesit e komunitetit fetar, gjatë kësaj jave përfundoi punën, për mbulimin dhe restaurimin total të çatisë së kishës së “Shën Mërisë” në fshatin Labovë e Kryqit. Kisha është Monument Kulture, Kategoria I.

Gjatë punës u realizua shtimi i materialeve të konstruksionit, restaurimi i elementeve si dhe mbulimi i saj.

Kisha e “Shën Mërisë” është në mes të fshatit Labovë. Sipas një mbishkrimi që gjendet i shkruar rreth pjesës së poshtme të timbanit të kubesë, kisha mendohet se është ndërtuar në vitin 551, me shpenzimet e Justinianit I.

Restaurimi i kishës së Shën Mërisë në Labovë të Kryqit

Kjo është një nga kishat e tipit kryq i brendashkruar me kupolë, por ka dhe tipare të veçanta që e dallojnë nga tipi. Kisha në gjendjen e sotme përbëhet prej bërthamës së vjetër gati katrore në plan, dhe shtesave në anët jugore, veriore dhe perëndimore. Në vitin 1776 i janë rindërtuar absidat dhe janë bërë një sërë përfocimesh në brendësi, për të mbajtur strukturat e dëmtuara nga koha. Kisha e vjetër, ndërkaq, përbëhet nga pjesa qendrore katrore mbuluar me kupolë, nga e cila hapen katër krahët e kryqit të mbuluar me qemerë cilindrikë. Pjesa qendrore me kupolë ndahet nga pjesët anësore nëpërmjet arkadave treshe dykatëshe, duke u theksuar, në këtë mënyrë, vëllimi qendror i naosit. Kupola mbështetet mbi harqet mbajtës që ngrihen mbi katër pilastra masive në këndet e këtij vëllimi qendror. Nga ana e jashtme muret janë ndërtuar me gurë e tulla, dekoruar me stilin e njohur klausonazh.

Restaurimi i kishës së Shën Mërisë në Labovë të Kryqit

Tipologjikisht, forma e veçantë shpjegohet, nga njëra anë, me ndikime të stileve të vjetër të Selanikut e Kostandinopojës (shek. VIII-IX), nga ana tjetër me përpjekjet që bëhen në Kostandinopojë e gjetkë në fund të shek. XII për të gjetur shprehje të reja arkitekturale në formimin e pjesës qendrore. /atsh

/Shqip.com