Lajme Ballkan

Përfundon protesta, kërkohet formimi i Asociacionit

Serbët në veri të vendit gjatë ditës së sotme kanë mbajtur protestë në sheshin kryesor “Car Lazar”.

Në këtë tubim të organizuar nga ora 12:00, Kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, ish-ministër për Kthim në Qeverinë e Kosovës, ka bërë thirrje që të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, dhe të zbatohet Marrëveshja e Brukselit.

“Dje kemi dhënë dorëheqje, sot po ua kthejmë mandatin, pasi ju na keni zgjedhur e jo Prishtina.Mjaft më. Mjaft shkelje të Marrëveshjes së Brukselit dhe popullit serb. Unë qëndroj para jush me ndërgjegje të pastër, sepse bëmë gjithçka për ta parandaluar këtë. Me dorëheqjet tona mbrojmë marrëveshjen e Brukselit. Ne duam paqe, paqe dhe vetëm paqe. Ju lutemi mos bini pre e provokimeve, ne nuk jemi faktor përçarës, ne duam të tërheqim të gjitha vendimet e njëanshme për targat dhe të zbatohet Marrëveshja e Brukselit, duke krijuar Asociacionin e Komunave serbe”, ka thënë Rakiq.

Në anën tjetër, Igor Simiq, nënkryetar i Listës Serbe, tha se sot po luftojnë për paqen për të gjithë njerëzit. Ai thotë se dorëheqjet i kanë dorëzuar sepse nuk kanë dashur të jenë front për Prishtinën.

“Dhjetë vjet e kemi pritur Bashkimin e Komunave Serbe, dhjetë vjet e kemi pritur dorën e pajtimit, e çfarë kemi marrë?.Nëse jemi të bashkuar dhe të bashkuar, nuk kam dyshim se do të fitojmë. Është e rëndësishme që barrën e luftës ta mbajmë njësoj”, tha Simiq. 

Milan Radojeviq, ish-kryetari i Mitrovicës së Veriut, falënderoi të gjithë të mbledhurit dhe tha se nga takimi po dërgohet mesazhi i paqes.

Pas largimit nga institucionet e Kosovës gjatë ditës së djeshme, dhe dorëheqjes së Goran Rakiçit nga pozita e ministrit në Qeverinë e Kosovës, sot gjatë ditës edhe Kryetarët dhe këshilltarët e katër komunave veriore kanë dhënë dorëheqje.

Dorëheqje këtë mëngjes kanë dorëzuar edhe kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit.

Po ashtu se gjatë ditës së djeshme, policët serbë në Veri kanë dorëzuar detyrën, duke zhveshur uniformat e Policisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ftuar qytetarët serbë ta ruajnë qetësine e sigurinë.

Sipas tij Lista Serbe është vegël e presidentit Vuçiq, që e kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës.

Rakiq tha se këto vendime do të jenë në fuqi derisa Qeveria e Kosovës  të tërheqë vendimin për tabelat dhe të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe.

Në anën tjetër, Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje të dyja palëve të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm, i cili mund të çojë në tensione të mëtejshme

/Shqip.com