Lajme

Përfundon protesta e serbëve pas arrestimit të të dyshuarit për krime lufte

Ka përfunduar protesta e serbëve në Graçanicë, të cilët u mblodhën para stacionit policor në shenjë revolte për arrestimin e sotëm të serbit D.M.

Serbi D.M., është arrestuar si i dyshuar për krime lufte, ku sipas policisë, ai dyshohet se krimet i ka kryer gjatë periudhës 1998-1999.

“Ndaj të njëjtit janë siguruar prova për ekzistimin e dyshimit të arsyeshëm se në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë në cilësi të personave zyrtar (gardian të burgut) në Prishtinë dhe në paralelen e ndarë nga Prishtina konkretisht në burgun e Lipjanit, në mënyrë sistematike, dyshohet se kanë ushtruar torturë, dhunë fizike, psikike, keqtrajtime dhe maltretime çnjerëzore dhe të skajshme për jetën ndaj të burgosurve shqiptarë”, thuhet në njoftim e policisë.

Deri më tani, nuk raportohet për asnjë incident gjatë kësaj proteste të serbëve në Graçanicë.

/Shqip.com