Lajme

Përfundon protesta e serbëve në Rudar, rreth 1.500 persona ishin pjesëmarrës

Ka përfunduar protesta e organizuar nga serbët në Rudar të Komunës së Zveqanit.

Kjo është bërë e ditur nga Policia e Kosovës, përmes një njoftimi për media. Po ashtu, PK-ja ka demantuar spekulimet për pengimin e autobusëve në Shtërpce.

“Protesta në Rudar të Zveqanit përfundon e qetë, Policia e Kosovës demanton spekulimet për gjoja pengimin e autobusëve në Shtërpce, që kishin për qëllim shkuarjen në protestë. Referuar deklarimeve dhe publikimeve të disa mediumeve se gjoja autobusë me protestues të cilët kishin për qëllim shkuarjen në protestën e paraparë të mbahet në Rudarë të Zveqanit, janë penguar nga Policia e Kosovës, janë të pavërteta dhe nuk qëndrojnë”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Policia e Kosovës thotë se një autobus është ndalur për kontroll rutinore ndërsa, disa persona nuk kanë pranuar të verifikohen dhe janë kthyer mbrapsht me vetëdëshirë.

“Gjatë realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore në funksion të garantimit të ligjit dhe sigurisë, një autobus është ndaluar sipas procedurave të kontrollit rutinor dhe gjatë verifikimit të dokumenteve disa persona nuk kanë pranuar të legjitimohen nga autoritetet kompetente, prandaj në mënyrë vullnetare (me vetë dëshirë) nuk kanë vazhduar tutje”.

Sipas PK-së, në protestë kanë qenë afërsisht 1.500 pjesëmarrës.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq ka folur në protestën e sotme në Rudar.

Rakiq ka thënë se pa u përmbushur kushtet e tyre nuk do të ketë tërheqje të barrikadave.

“Është e nevojshme të lirohet Miljan Adziç, Dejan Pantiç. Ju duhet të tërhiqni listat sekrete për arrestimin dhe kapjen e serbëve, të cilat i referohen pjesëmarrjes në protestat e qytetarëve nga shtatori i vitit të kaluar deri më sot. Kurti duhet ta tërheq policinë nga Kosova e veriut, të gjitha njësitë me tuba të gjatë. Pa përmbushur këto kushte, nuk ka tërheqje të barrikadave sepse jemi lodhur duke pritur se cila nga ne është tjetri”, tha Rakiq.

Rakiq tha se protesta e sotme ka të bëjë me ‘terrorin që ata gjoja po e përjetojnë’

“Terrori që vuajmë çdo ditë, listat sekrete, arrestimet dhe keqtrajtimi i forcave speciale të Kurtit janë arsyeja për mbledhjen e sotme ku duam të themi se duam paqe dhe liri. Duke patur parasysh se komuniteti ndërkombëtar është shqetësuar nga barrikadat, pa u shqetësuar nga ngacmimi i serbëve, dua të them se jemi vetë, se nuk mund të rrimë të heshtur rreth padrejtësisë, rreth rrahjes së popullit tonë, për të rënë dakord të largohemi qetësisht nga vendi ynë”.

I pari i Listës Serbe tha se zgjidhja për situatën në veri të Kosovës është në Prishtinë.

/Shqip.com