Kulturë

Përfundon konferenca shkencore në Prishtinë

Përfundoi konferenca ndërkombëtare “Sfidat e bashkëpunimit ekonomik Shqipëri -Kosovë dhe në rajon”, organizuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës që zhvilloi punimet në Prishtinë.

Akademik Anastas Angjeli, organizator i kësaj konference, falënderoi pjesëmarrësit që me punimet dhe prezantimet e tyre shënuan një hap të madh për të ndjekur zhvillimet e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve tona dhe të rajonit.

Kjo konferencë bashkoi akademikë, profesorë, ekspertë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, dhe vendet e tjera te rajonit, si dhe ekspertë ndërkombëtarë. Me punimet e tyre u analizua niveli i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve dhe u propozuan drejtime për përshpejtimin e këtij procesi në vazhdim, kjo edhe në funksion të procesit të Berlinit, me destinacion final integrimin e vendeve tona e të rajonit në Bashkimin Europian.

“Për të ndjekur zhvillimet e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve tona dhe të rajonit, dy akademitë e shkencave, vendosën që kjo konferencë të zhvillohet çdo 2 vjet. Në vjeshtën e vitit 2025, kjo konferencë do të zhvillohet në Tiranë”, ka deklaruar akad. Anastas Angjeli.

Kumtimet, prezantimet dhe rekomandimet e konferencës do të publikohen në një botim të veçantë.

/Shqip.com