Lajme

Përfundon aksioni, arrestohen 2 rreshterë dhe 24 zyrtarë policorë

Policia e Kosovës, respektivisht Inspektorati policor ka arrestuar 26 persona të dyshuar për keqpërdorim të detyrës apo marrje të ryshfetit.

Në këtë aksion i cili është zhvilluar në pikën kufitare në Vërmicë janë arrestuar 2 rreshterë policor si dhe 24 zyrtarë të tjerë.

“Bazuar në këto veprime të suksesshme hetimore, IPK në kuadër të operacionit “Pika 2” ka arrestuar sot 26 zyrtarë policorë (duke përfshirë dy rreshterë policorë dhe 24 zyrtarë policorë), që të gjithë të dyshuar për veprat penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” “marrje e ryshfetit””, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se IPK këtë aksion e nisur muaj më parë duke hetuar personat e përfshirë në rast.

“ Operacionit të sotshëm i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Hetuesit e IPK-së muaj më parë kanë pranuar informacione përmes rrugëve operative lidhur me dyshimet për përfshirjen në aktivitetet të kundërligjshme të disa zyrtarëve policorë të punësuar në Drejtorinë Rajonale kufitare “Perëndimi” në Gjakovë respektivisht pikë kalimit kufitar në Vërmicë:, thuhet në njoftimin e Inspektoratit Policore.

Foto nga operacioni

IPK-së thotë se ekziston dyshimi i bazuar se të arrestuarit në këtë rast janë të involvuar në veprimtari kriminale të veprës penale të “marrjes së ryshfetit” dhe  “keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”. Zyrtarët e arrestuar janë suspenduar nga detyrat e punës.

Ndryshe hetimi ka përfshirë edhe bashkëpunimin me SPAK-un (Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e Republikës së Shqipërisë) Agjencinë për Mbikëqyrje Policore – AMP-së (agjencia homologe e IPK-së në Shqipëri) që ka rezultuar me arrestimin e disa të dyshuarve edhe në Republikën e Shqipërisë./Shqip.com