Përfundoi me sukses ushtrimi ndërkombëtar “Kosova Resolve 2023”
Në kazermën e Komandës së Gardës Kombëtare të FSK-së, në Pomozatin, është mbajtur ceremonia përmbyllëse e ushtrimit ndërkombëtar, të udhëhequr nga Qendra Ndërkombëtare e Kërkim Shpëtimit të FSK-së “Kosova Resolve 2023”.
Përmes një njoftimi për media thuhet se në këtë ceremoni, në ditën e vizitorëve të veçantë, morën pjesë: Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, zv. ministri Shemsi Syla, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, drejtori i NALT-it, Joachim Hoppe, si dhe zyrtarë dhe oficerë të lartë të FSK-së dhe ndërkombëtarë.
Në fjalën e saj drejtuar të pranishmëve, Presidentja Vjosa Osmani përgëzoi për punën e shkëlqyer që ka kryer ekipi i FSK-së i kërkim-shpëtimit së bashku me kombet partnere.
Presidentja Osmani tha se FSK dhe Qendra Ndërkombëtare e Kërkim Shpëtimit po lëvizin me shpejtësi drejt zhvillimit të aftësive të specializuara dhe se FSK po i tregon botës rëndësinë e shpëtimit të jetëve nëpërmjet kësaj Qendre, duke shtuar se fatkeqësia në Turqi tregoi tek të gjithë rolin e kërkim-shpëtimit në shpëtimin e jetëve.
Ndërsa, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, në fjalën e tij, tha se “Kosova Resolve 2023” është një ushtrim i një rëndësie të veçantë për vendin tonë dhe gjithë rajonin dhe se Kosova po bëhet një eksportuese e paqes dhe sigurisë dhe një kontribuuese aktive në përpjekjet ndërkombëtare për siguri dhe mbështetje humanitare në nivel global.
/Shqip.com