Lajme

Përfaqësuesit e Luginës shkojnë në SHBA, kërkojnë të futen në agjendë të bisedimeve të BE-së dhe UN-it

Ardita Sinani, Shaip Kamberi,Nagip Arifi dhe Ragmi Mustafi po qëndrojnë për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo është konfirmuar nga Ragmi Mustafi në një prononcim për Shqip.com.

Ai ka thënë se këta katër përfaques nga Lugina e Preshevës po qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me ftesë të Institutit Washington për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Ligës Shqiptaro-Amerikan në SHBA.

“Në kuadër të qasje strategjike për përfshirjen e çështjes së pazgjidhur të Luginës së Preshevës në axhenden politike të përfaqësuesve si në Senat, Kongres e State Department e Shteteve të Bashkuara të Amerikës , Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në rrethanat e krijuara gjeopolitike, përfaqësuesit e Luginës në SHBA janë me ftesë të Institutit Washington për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Ligës Shqiptaro-Amerikan në SHBA për të thënë të vërtetën për gjendjen dhe pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës” ka thënë Mustafi

Mustafi po ashtu ka shtuar se në këto takimi do të diskutohet edhe për çështjen e pasivizimit të listave në Luginën e Preshevës.

“Pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, diskriminimi strukturor, mohimi i vazhdueshëm i integrimit, privimi nga përfaqësimi në institucionet rajonale dhe republikane të komunitetit shqiptar, tendenca për ta paraqitur atë si një ekonomik dhe jo si situatë politike e dal nga lufta e UÇPMB-ës 2001 janë disa nga temat që pritet të diskutohen. Së fundi, çështja e zgjedhjeve parlamentare, e cila nën tension dhe presion shoqërohet me instrumentalizim politik nga Beogradi janë ndër temat kryesore. Duke dashur që të përmbushin angazhimin për ruajtjen e substancës kombëtare, realizimi i të drejtave individuale dhe kolektive, si dhe përmirësimi i pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës janë imperativ i përfaqësuesve të komunitetit shqiptar” ka thënë Mustafi.

Ai ka treguar se kujt do ti drejtohen lidhur më këtë çështje

“Për këtë çështje do ti drejtohen Përfaqësuesve nga Këshilli Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Departamentit të Shtetit Amerikan, Senatit dhe Kongresit”

Po ashtu si temë diskutimi do të jetë edhe lënia e shqiptarëve jashtë Parlamentit të Serbisë.

“Injorimi dhe neglizhimi i problemit politik të Luginës së Preshevës është po aq i papranueshëm sa edhe durimi për demokratizimin e Serbisë dhe përballjen me të kaluarën. Shqiptarët duan të jenë të barabartë dhe të lirë dhe këtë e pengon mungesa e drejtësisë. Këtë më së miri e ka shpërfaq ky proces zgjedhor dhe besoj se do të çojë në radikalizimin politik të politikës së komunitetit shqiptar, që mund të çojë jo vetëm në protesta dhe demonstrata masive, por edhe në mosbindjes civile”

Mustafi po ashtu është shprehur se deri më tani, në 20 vitet e fundit, nuk kemi pasur qasje serioze, si dhe vullnet politik të qeverisë në Beograd, ndaj zgjidhjes së çështjes politike të Luginës së Preshevës.

Ai pret që kjo çështje  të futet në agjendën politike dhe të SHBA-së, BE-së dhe UN dhe krahas saj të prodhojë efektet e nevojshme për të siguruar realizimin e drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve të Luginës./Shqip.com