Lajme

Përfaqësuesi i SHBA në OKB: Asociacioni në përputhje me Kushtetutën e Kosovës

Jeffrey DeLaurentis, Përfaqësuesi i SHBA-së në Këshillin e Sigurimit

Përfaqësuesi i SHBA-së në Këshillin e Sigurimit, Jeffrey DeLaurentis, u shpreh i kënaqur me hapat e ndërmarrë nga Kosova dhe Serbia në takimet e fundit mes liderëve në Bruksel dhe Ohër.

Ai shtoi se shpreson që të shohë vullnet të ngjashëm edhe në takimin e radhës të 2 majit.

“Ne i inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë të lëvizin shpejt për t’i implementuar zotimet e tyre përkatëse dhe t’i shmangin krizat e përsëritura që e kanë penguar progresin në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”, tha DeLaurentis.

Ai kërkoi themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “në një mënyrë që përputhet me Kushtetutën e Kosovës”.

Ndërsa, përfaqësuesit e Britanisë së Madhe dhe Francës shprehën përkrahje për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Franca bëri thirrje që të dyja palët të përmbahen nga veprimet që mund t’i përshkallëzojnë tensionet mes dy vendeve.

Në raportin për periudhën nga 16 shtatori 2022 deri më 18 mars 2023 për Kosovën, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres përshëndeti Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksin e zbatimit të saj, për të cilin liderët e të dyja palëve së fundi arritën marrëveshje.

Guterres, në raport, vlerësoi se korniza e re e dialogut ka potencial për të çuar para procesin drejt arritjes së zgjidhjeve afatgjata.

/Shqip.com