Lajme Ballkan

Përdori lokalin për përdorim dhe tregtim të kokainës dhe të kanabisit, arrestohet 24 vjeçari

Një 24 vjeçar në shtetin e Shqipërisë është arrestuar nga Policia pasi që i njëjti kishte përdorur lokalin për përdorim dhe tregtim të kokainës dhe të kanabisit.

Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi nga Policia e Shqipërisë.

“Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Krujë, bazuar në inteligjencën informative, për përshtatjen e një lokali për përdorim droge, të mbështetura nga shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të këtij Komisariati, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Përshtatja”, në kuadër të të cilit u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit: -F. Sh., 24 vjeç, pasi kishte marrë një lokal me qira dhe e kishte përshtatur atë, për përdorim të lëndëve narkotike kokainë dhe kanabis”, thuhet në njoftim.

Po ashtu pos pronarit të lokalit, prangat u janë vendosur edhe -A. B., 35 vjeç, kamerieri i këtij lokali.

Më tutje është bërë e ditur se gjatë kontrollit që shërbimet e Policisë ushtruan në lokalin e marrë me qira nga 24-vjeçari dhe ku ishte kamerier shtetasi A. B., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 4 qese farmaceutike me lëndë narkotike kanabis, një peshore elektronike dhe një pjatë porcelani, me mbetje të lëndës narkotike kokainë.

/Shqip.com