Ekonomi Biznes

Përcaktohet sërish marzha e fitimit për shitjen e derivateve të naftës

Foto ilustruese

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka bërë të ditur të mërkurën se ka evidentuar mospërshtatje të çmimeve vendore të produkteve të naftës me lëvizjet e mëdha të çmimeve në tregun botëror.

Për këtë arsye, kjo ministri ka vendosur që të bëjë rregullimin e çmimeve dhe caktimin e masave të tjera disiplinore.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, nga monitorimi i rregullt i tregut të produkteve të naftës dhe bazuar në evidencën ditore të pranuar nga Dogana e Kosovës lidhur me çmimet e furnizimit/importit të produkteve të naftës si dhe raportin e Inspektoratit të Tregut lidhur me çmimet e shitjes me pakicë të produkteve të naftës, ka evidentuar mospërshtatje të çmimeve vendore me lëvizjet e mëdha të çmimeve në tregun botëror, çka përbën bazë/shkas për rregullimin e çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse. Me qëllim mbrojtjen e konsumatorit, mbrojtjen e konkurrencës dhe për të mënjanuar çrregullimet në treg, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, ka marrë vendim për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës. Sipas këtij vendimi marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy eurocentë për litër kurse marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është 12 eurocentë për litër”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Llogaritja e marzhës tregtare maksimale e lejuar për shitje me shumicë dhe pakicë bëhet sipas nenit 4 paragrafi 1.1 dhe 1.2. të U/A Nr. 03/2022 Për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtrishme dhe Masat e Tjera Mbrojtëse”, thuhet në fund të njoftimit të ministrisë.

Ky vendim hyn në fuqi një (1) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

/Shqip.com